Maliq – Pallati i Kulturës “Dhimitër Orgocka” në Maliq është kthyer në një hapësirë kujtese dhe historie përmes një ekspozite fotografike me imazhe të realizuara nga fotografi grek Christu N. Petru Mesogiti, gjatë periudhës së Luftës Italo-Greke, nga nëntori i vitit 1940 deri në mars të vitit 1941.
Koleksioni sjell fotografi që dokumentojnë jo vetëm zhvillimet e luftës, por edhe jetën e përditshme në fshatrat e zonës së Maliqit, Korçës dhe Pogradecit. Përmes këtyre imazheve, vizitorët kanë mundësinë të njihen me një panoramë autentike të jetës dhe ngjarjeve të një periudhe të rëndësishme historike.
Sipas Petros Filippou, Mesogiti u plagos gjatë luftës dhe më pas u caktua në administratën e ushtrisë greke. Në Korçë ai bleu aparatin fotografik me të cilin dokumentoi jo vetëm skena ushtarake, por edhe jetën në fshatrat shqiptare.
Ekspozita synon të sjellë historinë më pranë publikut përmes fotografisë dhe të prezantojë materiale të rralla me vlerë historike e kulturore.
E hapur për vizitorët deri të dielën, ekspozita përbën një mundësi për të zbuluar dëshmi të veçanta fotografike mbi historinë e Maliqit, Korçës, Pogradecit dhe rajonit gjatë viteve të Luftës Italo-Greke.


