Një telegram i rrallë, i publikuar për herë të parë në shqip, hedh dritë mbi situatën e krijuar në fshatin Lin të Pogradecit në janar të vitit 1923, kur zona rrezikohej nga pushtimi i trupave serbe.
Telegrami, i dërguar nga gjeologu finlandez Jakob Sederholm drejt Lidhjes së Kombeve, përshkruan hyrjen e një grupi trupash serbe në Lin dhe përplasjet e ndodhura me banorët.

Sipas dokumentit, tre oficerë serbë, një zyrtar civil dhe rreth 50 persona, mes tyre xhandarë dhe të armatosur me tre mitralozë, hynë në Lin në mesnatën e 5 janarit dhe qëndruan deri në mesditën e 7 janarit. Gjatë qëndrimit të tyre, ata tentuan të arrestonin një banor të fshatit, ndërsa më pas pasoi një përleshje me të shtëna armësh.
Sederholm shkruan se e vizitoi Linin katër orë pas largimit të trupave dhe, pasi mori në pyetje banorët, pa gjurmët e kampit të ngritur dhe fortifikimet e ndërtuara për mitralozë.

Banorët, sipas tij, pretendonin se bastisje të ngjashme kishin ndodhur edhe më parë dhe kërkonin një vendim përfundimtar për fatin e zonës.
Në telegram, Sederholm kërkon që të protestohet ndaj asaj që ai e konsideronte shkelje të neutralitetit.

Dokumenti mban datën 7 janar 1923, Korçë dhe ruhet në Arkivin e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, Zvicër.
Jakob Sederholm (1863–1934) ishte drejtues i Komisionit Hetimor të Lidhjes së Kombeve për Shqipërinë, misioni i parë ndërkombëtar hetimor i dërguar për të verifikuar situatën politike, territoriale dhe kufitare të Shqipërisë në vitet e para pas Luftës së Parë Botërore.
Dokumenti është bërë publik nga historiani Ledjan Zeqollari.


