Një 44-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Korçës, pasi ka hyrë në një klinikë dentare dhe ka kërcënuar me thikë pronaren e saj, me qëllim vjedhjen.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 5 të qytetit të Korçës. Sipas policisë, shtetasi me inicialet Artur Çina banues në Korçë, ka hyrë në ambientet e klinikës dentare, ku ka shtyrë me forcë pronaren dhe e ka kanosur me një mjet prerës (thikë).
Më pas, 44-vjeçari ka arritur të marrë një laptop dhe është larguar nga vendngjarja. Pas njoftimit, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë kanë ndërhyrë menjëherë, duke bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e tij.
Gjatë veprimeve policore janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale thika e dyshuar e përdorur për kanosjen dhe laptopi i vjedhur.
Mësohet se 44-vjeçari është person me precedent penal, i dënuar më parë për vjedhje me dhunë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.


