Klubi i Pogradecit ka kërkuar mbështetje masive nga tifozët për ndeshjen e radhës, atë ndaj Besëlidhjes, java e 10-të e Kategorisë së Parë. Në 4 ndeshjet e fundit, ekipi liqenor nuk e njeh fitoren, 3 barazime dhe 1 humbje, e cila ka ndikuar në renditje, me “rrëzimin” në vendin e 6-të.
Për sfidën ndaj Besëlidhjes, klubi i Pogradecit u ka bërë thirrje publike tifozëve përmes postimit në rrjetet sociale, ndërsa hyrja do të jetë falas.
“Thirrje për të gjithë tifozët e Pogradecit! Të shtunën, 7 nëntor, ora 13:30, Pogradeci luan një ndeshje vendimtare kundër Besëlidhjes.
Lojtarët tanë po punojnë çdo ditë me përkushtim dhe janë të vendosur të rikthehen te fitorja. Për ta bërë këtë, kanë nevojë edhe për ju. Zëri juaj nga tribunat është lojtari ynë i dymbëdhjetë, ai që na jep forcë kur këmbët lodhen dhe besim kur loja vështirësohet.
Prandaj, ju ftojmë të gjithëve, të rinj e të moshuar, familje e shokë, të mbushim stadiumin dhe ta kthejmë këtë ndeshje në një festë mbështetjeje për qytetin dhe ekipin tonë.
Nuk ka moment më të mirë për të treguar se ky klub nuk është vetëm një ekip, por një familje e madhe që nuk dorëzohet kurrë. Hyrja është falas për të gjithë, pa bileta! Të shtunën, ora 13:30. Të gjithë në stadium. Të gjithë për Pogradecin!”, shkruan klubi liqenor.


