Me afrimin e dimrit, ngrohja po kthehet në një tjetër vështirësi ekonomike për pensionistët në Korçë. Çmimi i druve të zjarrit ka arritur në rreth 60 mijë lekë të vjetra, një kosto që shumë të moshuar thonë se nuk mund ta përballojnë me të ardhurat e tyre mujore.
Përballë çmimeve të larta dhe pensioneve të pamjaftueshme, shumë prej tyre detyrohen të heqin dorë nga blerja e druve, duke zgjedhur batanijet si të vetmen mënyrë për t’u mbajtur ngrohtë gjatë ditëve të ftohta.
Ata shprehen se pensioni mezi u mjafton për ushqime, ilaçe dhe pagesën e faturave të ujit e energjisë elektrike, duke mos u lënë mundësi për të përballuar edhe shpenzimet e ngrohjes.
Ndërkohë, shitësit e druve, jashtë kamerave, bëjnë me dije se rritja e çmimit të naftës ka ndikuar drejtpërdrejt në shtrenjtimin e druve të zjarrit. Sipas tyre, nëse kostot e transportit vijojnë të rriten, çmimi pritet të shënojë sërish rritje.
Kështu, për shumë pensionistë në Korçë, dimri që po afron nuk sjell vetëm të ftohtin, por edhe një tjetër barrë ekonomike, ku sigurimi i ngrohjes mbetet një luks që jo të gjithë mund ta përballojnë.


