Më 10 tetor 1964 lindi në Maliq Xhevdet Belishta, mjeku pediatër që prej vitesh ka ushtruar profesionin e tij në shërbim të pacientëve dhe komunitetit, duke mbajtur edhe detyra drejtuese në fushën e shëndetësisë dhe të pushtetit vendor.
I diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës, Belishta ka shërbyer për gati dy dekada në qendrat shëndetësore të Pirgut, Vreshtasit, Maliqit dhe Libonikut. Përvoja e tij profesionale vijoi me drejtimin e Drejtorisë Rajonale Shëndetësore të Korçës, ndërsa në vitet 2003–2006 mbajti edhe detyrën e kryetarit të Komunës Pirg.
Gjatë karrierës së tij, Xhevdet Belishta është njohur për përkushtimin ndaj pacientëve, komunikimin e afërt me njerëzit dhe gatishmërinë për të qenë pranë banorëve, edhe në zonat më të largëta. Për të, shërbimi ndaj komunitetit ka qenë një përgjegjësi që e ka shoqëruar si në ushtrimin e profesionit të mjekut, ashtu edhe në angazhimin në administratën vendore.
Profilin e tij profesional dhe kontributin ndër vite e sjell në vëmendje Këshilli i Qarkut Korçë, në kuadër të promovimit të personaliteteve që kanë kontribuar në jetën shoqërore dhe institucionale të qarkut.


