Banorët e Maliqit kundërshtojnë vendimin për shkrirjen e bashkisë së tyre dhe bashkimin me atë të Korçës, në kuadër të reformës territoriale që pritet të prekë 15 bashki në vend.
Ata shprehen të zhgënjyer nga vendimi, duke e cilësuar si tradhti nga përfaqësuesit politikë të cilëve u kishin besuar votën. Shqetësimi kryesor lidhet me vështirësitë që mund të hasin në marrjen e shërbimeve administrative, veçanërisht banorët e fshatrave të largët, si Moglica dhe Dushari.
“Na morën votat dhe na tradhtuan. Maliqi mbaroi. Për një hall do të shkosh në Korçë? Ata të Moglicës e Dusharit do të marrin pasaportën me vete, sepse nuk do ta zgjidhin dot brenda ditës”, shprehet një prej banorëve.
Edhe të moshuarit e shohin këtë ndryshim si një vështirësi të shtuar, për shkak të kostove të transportit dhe pamundësisë ekonomike për të udhëtuar drejt Korçës për shërbime që deri më tani i merrnin pranë bashkisë së tyre.
“Jam 72 vjeç. Bashkia nuk duhej prishur. Si do të shkojë njeriu në Korçë për një kartë? A ka lekë? Ne në qytet nuk kemi, jo më ata të fshatit”, shprehet një tjetër banor.
Bashkia e Maliqit administron mbi 60 fshatra dhe ka rreth 30 mijë banorë, duke qenë njësia me popullsinë më të madhe ndër bashkitë që preken nga reforma territoriale.
Banorët kërkojnë që të merren në konsideratë nevojat e tyre dhe pasojat që ky ndryshim mund të sjellë në aksesin ndaj shërbimeve publike, veçanërisht për të moshuarit dhe familjet që jetojnë në zonat e thella.


