Në nëntor të vitit 2024, kryeministri Edi Rama premtoi se do t’i kërkonte Athinës rishikimin e vendimit ndaj gazetarit Marin Mema. Dy vite më pas, ndalimi i hyrjes në Greqi vijon të jetë në fuqi, sipas deklarimeve publike të gazetarit. Çfarë ndodhi me ndërhyrjen e premtuar nga qeveria shqiptare?
Prej 14 vitesh, gazetari Marin Mema nuk lejohet të hyjë në Greqi. Vendimi ndaj tij u mor më 19 gusht 2012, kur autoritetet greke i ndaluan hyrjen në kufi, duke e konsideruar, sipas dokumentit që iu dorëzua, një rrezik për sigurinë kombëtare.
Rasti u bë sërish pjesë e debatit publik në nëntor të vitit 2024, kur kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me shqiptarët në Selanik, deklaroi se qeveria shqiptare do t’i kërkonte Athinës rishikimin e vendimit.
“Do dorëzojmë kërkesën për rishikimin e vendimit absurd 12 vite më parë për t’i ndaluar gazetarit hyrjen në Greqi”, deklaroi Rama, duke e cilësuar masën ekstreme dhe antidemokratike.
Por çfarë ndodhi pas këtij premtimi?
Në deklarimet publike të bëra në vitin 2025 dhe në gusht 2026, Marin Mema ka pohuar se ndalimi vijon dhe se nuk ka mundur ta çojë çështjen deri në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, pasi, sipas tij, përballen pengesa në procedurat gjyqësore në Greqi.
Kështu, çështja që Rama premtoi se do ta ngrinte me autoritetet greke vijon të mos ketë një zgjidhje të konfirmuar publikisht.
Mbetet e paqartë se çfarë përgjigjeje ka dhënë pala greke ndaj kërkesës shqiptare, nëse është kërkuar zyrtarisht heqja e ndalimit dhe çfarë hapash diplomatikë janë ndërmarrë që prej nëntorit të vitit 2024.
Vendimi ndaj Memës lidhet me punën e tij si gazetar dhe me reportazhet mbi historinë shqiptare, Çamërinë dhe shqiptarët që jetojnë në territorin grek. Që në vitin 2012, organizata ndërkombëtare e medias SEEMO kërkoi nga autoritetet greke të shpjegonin arsyet e ndalimit të gazetarit.
Përtej deklaratave politike, sot kërkohet një përgjigje konkrete: A ka ndërhyrë realisht qeveria shqiptare për heqjen e “non gratës” së Marin Memës dhe, nëse po, pse ndalimi vijon të jetë në fuqi?
Premtimi publik u bë. Por, deri në një konfirmim zyrtar për ndryshimin e vendimit, çështja e gazetarit shqiptar mbetet e pazgjidhur.


