Një tentativë e dyshuar për kalim të paligjshëm të shtetasve të huaj është evidentuar në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës.
Ngjarja u regjistrua mbrëmjen e 27 tetorit, rreth orës 22:00, gjatë kontrollit dhe skanimit të një kamioni të ardhur nga Turqia, me destinacion Durrësin.
Gjatë skanimit, punonjësit e Doganës konstatuan shenja të dyshimta në pjesën e pasme të trajlerit, të ngjashme me siluetat e njerëzve. Pas kontrollit fizik të automjetit, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, u zbuluan gjashtë shtetas të huaj të fshehur në hapësirën e ngarkesës.
Sipas verifikimeve paraprake, pesë prej tyre ishin nga Sudani dhe një nga Kuvajti. Disa prej shtetasve dispononin dokumente identifikimi, ndërsa dy deklaruan se nuk kishin dokumente me vete.
Gjatë intervistimit paraprak, ata deklaruan se ishin ngjitur në kamion në Turqi dhe synonin të shkonin drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Administrata Doganore vlerësoi bashkëpunimin me Policinë e Shtetit në evidentimin e rastit, duke theksuar rëndësinë e kontrolleve dhe skanimit për identifikimin e rasteve të dyshuara të trafikimit ose kontrabandimit të personave.


