Personat e privuar nga liria në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Korçë kanë përfunduar kursin e aftësive dixhitale, të ofruar nga Qendra e Formimit Profesional Korçë.
Me këtë rast, pjesëmarrësve iu shpërndanë certifikatat që dëshmojnë përfundimin e kursit dhe njohuritë e fituara në përdorimin e teknologjisë.
Aftësitë e përvetësuara synojnë të zgjerojnë mundësitë e tyre për arsimim dhe punësim pas lirimit, duke lehtësuar riintegrimin në shoqëri.
Nisma të tilla konsiderohen një mbështetje e rëndësishme për procesin e rehabilitimit, pasi ndihmojnë personat e privuar nga liria të zhvillojnë aftësitë personale, të rrisin besimin te vetja dhe të përgatiten për jetën pas përfundimit të dënimit.


