Një nga kandidatët për kryetar të Partisë Demokratike, dega Korçë, akuzoi publikisht qendrën e partisë së tij se refuzoi kandidaturën për shkaqe fetare. Sipas deklaratave publike të bëra prej tij, shkaku kryesor i refuzimit ishte përkatësia myslimane.
Nuk është hera e parë që dëgjohet ky opinion, pasi edhe në të kaluarën është ngritur në diskutime personale nga persona të tjerë. Por është hera e parë që shkaku fetar ngrihet publikisht në media, si një diskurs publik dhe politik, madje brenda një prej dy partive kryesore të Shqipërisë.
Në vend që të trajtohet si një çështje morale apo si një rrezik për kryefjalën e ngjizjes së identitetit kolektiv shqiptar “Feja e shqiptarit është Shqiptaria”, ky opinion është, më shumë, pjesë e diskursit populist të Partisë Demokratike dhe partive politike në përgjithësi.
Më konkretisht, retorika në fjalë përbën një diskurs etno-populist që, për shkak të sfidave që lidhen me konsolidimin e shtetit demokratik dhe evoluimin e partive politike, gjen sot një jehonë më të gjerë.
Pse populizëm?
Partia Demokratike ka shfaqur elementë të theksuar populistë që prej vitit 2016, kur Donald Trump konkurroi me sukses për presidencën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke artikuluar një retorikë të theksuar anti-elitë. Qysh atëherë, faji i dështimit që PD-ja të rivijë në pushtet, sipas një diskursi të artikuluar nga segmente të kësaj partie, i faturohet kryesisht qarqeve sorosiane në politikën shqiptare, por edhe brenda vetë Ambasadës Amerikane në Tiranë. Ky arsyetim përkon me përkufizimin e populizmit, si një shprehje shqetësimi rreth përfaqësimit politik, pra si një ndarje mes ‘popullit’ dhe ‘elitave’, ku këtyre të fundit u faturohet përgjegjësia për mosrealizimin e vullnetit popullor.
Madje, ky populizëm mund të përmbajë më shumë elementë jo-demokratikë sesa demokratikë, sepse, duke fajësuar një grup të caktuar, synohet të konsolidohet pushteti politik i lidershipit të partisë përmes përhapjes së teorive të konspiracionit, sesa të kërkohet një shpërndarje më përfaqësuese e të mirave materiale në shoqëri.
Ndërmjetësimi i mandatit të Joe Biden dhe shpallja e zotit Sali Berisha “person i padëshirueshëm” në SHBA, i dha një hov më të madh retorikës populiste në Partinë Demokratike dhe në opozitën shqiptare në përgjithësi. Një shembull i kësaj qasjeje është ish-presidenti Ilir Meta, atëherë përfaqësues i partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, i cili aplikoi një retorikë sovraniste, që e barazonte veten e tij me ish presidentin e vetëvrarë të Kilit, Salvador Allende.
Retorika populiste margjinalizoi deri diku akuzat anti-korrupsion të Partisë Demokratike ndaj partisë në pushtet, si dhe frenoi shpalosjen e një programi të qartë ekonomik liberal, të cilin PD-ja e zhvendosi drejt një diskursi më konservator, nën ndikimin e retorikës së Donald Trump-it.
Pse etno-populizëm?
Në nivel lokal, diskursi i përkatësisë fetare lidhet akoma më shumë me etno-populizmin. Ndryshe nga populizmi, i cili fajëson elitën politike apo ekonomike, etno-populizmi i vesh këto kundërvënie me trajta identitare, qoftë etnike, raciale apo kulturore. Kështu, në prizmin lokal të rajonit të Korçës, elitat e korruptuara të establishmentit politik dhe ekonomik mund të identifikohen si të krishtera, një pretendim që nuk mbështetet në evidencë institucionale. Për më tepër, pragmatizmi i partive politike kërkon një përfaqësim sa më të gjerë tek masat, dhe jo në segmente të caktuara fetare.
Etno-populizmi në nivel lokal forcohet edhe nga fakti se deklarata të ndryshme politike në nivel kombëtar, si në të kaluarën, ashtu edhe sot, kanë pasur si kryefjalë identitete të veçanta dhe jo koncepte që lidhen me konsolidimin e një kombi demokratik, si “Shteti i së Drejtës” (Rule of Law) apo “Demokracia”.
Shembuj të kësaj retorike përfshijnë termin “Albanofobi” të fqinjve, e ngritur nga ish kryeministri Sali Berisha me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, akuzat e tij se qeveria Rama ka lënë pas dore veriun e Shqipërisë, apo edhe deklaratat e kryeministrit aktual se “Italianët janë shqiptarë të veshur me Versace” apo se “Grekët nuk janë pasardhës të Platonit”.
Zhvillimi i shtetit-komb dhe fenomeni partiak
Retorika fetare lidhet edhe me dy aspekte të tjera, që janë ecuria e shtetit-komb dhe evoluimi i partive politike në kohët e sotme. Siç diskutohet në shkencat politike dhe sociale, globalizimi i tregjeve dhe revolucioni i teknologjisë ka sjellë si pasojë një dobësim relativ të shtetit-komb në lidhje me ekskluzivitetin që ai ka në kontrollin e autoritetit politik, sovranitetit dhe informacionit publik. Kështu, fenomene të lidhura tradicionalisht me shtetin-komb, si identiteti kombëtar, nacionalizmi, krenaria kombëtare, janë dobësuar përballë trajtave transnacionale të globalizmit, si identiteti gjithëpërfshirës në politikën e brendshme, ashtu dhe solidariteti kulturor në një aspekt më të gjerë.
Pikërisht në këtë prizëm, feja është forcuar sot në epokën e globalizmit, që në vetvete pasoi procesin e Sekularizimit (Secularism) kur identiteti fetar u tkurr brenda botës shpirtërore të qytetarit.
Nëse këtij rigjallërimi të identitetit fetar i shtojmë edhe rigjallërimin e fesë në Shqipërinë pas-komuniste, që u përdhos ashpër nga politika ateiste e regjimit totalitar komunist, do të shohim se referencat mbi fenë sot janë më të shpeshta dhe të zakonshme.
Si i tillë, identiteti i përforcuar fetar në nivelet e shoqërisë shqiptare nuk është lënë pa u shfrytëzuar edhe nga partitë politike, të cilat janë shndërruar sot në parti më pragmatiste dhe lidershipi, në dallim nga e kaluara kur ato vepronin në cilësinë e partive të masave dhe ishin më afër polaritetit ideologjik. Kështu, prioriteti kryesor i tyre është marrja dhe mbajtja e pushtetit “me çdo mjet”, qoftë përmes kultit të kryetarit të partisë, por edhe pragmatizmit të strukturave partiake për të gjeneruar sa më shumë vota.
E parë në këtë prizëm, retorika fetare përkon me përpjekjen e kandidatëve të ndryshëm për të gjeneruar vota në komunitete fetare, të cilave duke artikuluar shqetësime që lidhen me përfaqësimin politik, përpiqen që t’i mobilizojnë në beteja, si brenda ashtu edhe jashtë partisë.
Nga: Jordan Jorgji


