Pas dhjetë netësh të mbushura me humor, art dhe emocione, është përmbyllur në Korçë edicioni i 13-të i Festivalit Mbarëkombëtar të Komedisë.
Festivali, i cili nisi më 28 gusht, solli në skenën e Teatrit “Andon Zako Çajupi” trupa teatrore dhe artistë të njohur të skenës shqiptare, duke ofruar për publikun një repertor të pasur me shfaqje komedike dhe satirike.
Fitues i këtij edicioni u shpall spektakli “Babai”, i Teatrit Kombëtar Eksperimental të Tiranës. Çmimi për aktorin më të mirë protagonist iu dha Viktor Zhustit, ndërsa çmimi për aktoren më të mirë protagoniste shkoi për Luiza Xhuvanin.
Çmimi i Karrierës iu akordua aktorit të njohur Ndriçim Xhepa, ndërsa për regjisorin më të mirë u vlerësua “Gomerët e Trojeve”, me regji të Gent Bejkos.
Gjatë festivalit, vlerësimet dhe përshtypjet e tyre i ndanë edhe drejtues e aktorë të teatrove pjesëmarrëse, mes tyre Zamira Kita, Viktor Zhusti, Gjergj Prevazi, Gerti Palali dhe Pjerin Vlashi.
Festivali u mbyll me shfaqjen satiriko-komedike “Demos”, duke i dhënë fund dhjetë netëve të dedikuara humorit, artit dhe teatrit në Korçë.


