Bujqësia dhe blegtoria mbeten aktivitetet kryesore ekonomike për banorët e fshatit Baçallëk, në Pogradec, por vështirësitë e shumta po e bëjnë gjithnjë e më pak fitimprurëse punën në sektorin bujqësor. Mungesa e investimeve, problemet me vaditjen dhe pamundësia për të shitur prodhimet janë shqetësimet kryesore të fermerëve.
Ata thonë se prej vitesh nuk kanë parë investime konkrete në mbështetje të bujqësisë, ndërsa mungesa e ujit për vaditje po dëmton drejtpërdrejt prodhimin dhe aktivitetin e tyre.
Një tjetër shqetësim mbetet tregtimi i produkteve bujqësore. Fermerët shprehen se tonelata grurë kanë mbetur pa shitur në magazina, ndërsa në treg vijon të hyjë prodhim i importuar. Sipas tyre, politikat mbështetëse nuk kanë dhënë rezultatet e premtuara, duke i lënë prodhuesit vendas përballë humbjeve ekonomike.
Kjo situatë po ndikon edhe në largimin e të rinjve nga fshati. Bujqësia dhe blegtoria mbahen kryesisht nga banorët e moshuar, ndërsa emigracioni shihet si një mundësi më e mirë për sigurimin e të ardhurave. Disa prej banorëve kanë edhe fëmijët në emigracion, ku, sipas tyre, mundësitë ekonomike janë shumë më të mira.
Ashtu si në fshatra të tjerë të fushës së Pogradecit, edhe në Baçallëk fermerët kërkojnë më shumë mbështetje, investime në infrastrukturën vaditëse dhe zgjidhje për tregtimin e prodhimeve vendase, në mënyrë që bujqësia të mos humbasë perspektivën.


