Close Menu
Bufi UrteBufi Urte
    What's Hot

    Atë Kosta Kotnani, prifti i Korçës nga përndjekja te rihapja e kishave

    October 17, 2026

    KORÇË/ 17 PERSONA TË PROCEDUAR PAS PROTESTËS, ASNJË I ARRESTUAR

    October 17, 2026

    TIA: Asnjë fluturim shtesë nga Tel Avivi drejt Tiranës, operimet vijojnë sipas skedulit

    October 16, 2026
    Facebook X (Twitter) Instagram
    • Na kontaktoni
    • Punesim
    • Marketing
    Facebook Instagram
    Bufi UrteBufi Urte
    • Home
    • Vendi
    • Rajoni
    • Evropa
    • Bota
    • Kulture
    • Jetese
    • Sport
    Bufi UrteBufi Urte
    Home » Atë Kosta Kotnani, prifti i Korçës nga përndjekja te rihapja e kishave
    Vendi

    Atë Kosta Kotnani, prifti i Korçës nga përndjekja te rihapja e kishave

    October 17, 2026
    Facebook WhatsApp Copy Link
    Share
    Facebook WhatsApp Copy Link

    Jetim që në fëmijëri, ai ruajti besimin gjatë përndjekjes dhe më 6 janar 1991 kreu Bekimin e Madh të Ujit në Korçë.

    Dr. Themistokli Bambulla (Teolog)

    Jetim që në foshnjëri, mjeshtër guri, bashkëshort, baba dhe prift, Atë Kosta Kotnani kaloi përmes përndjekjes dhe ndalimit të shërbesës. Në vitet kur besimi përndiqej, ruajti librat kishtarë, kreu shërbesa fshehurazi dhe lutej që të jetonte deri në rihapjen e kishave. Më 6 janar 1991, ai kreu Bekimin e Madh të Ujit përpara mijëra besimtarëve në Korçë.

    Your browser does not support the video tag.

    Në vendin ku dikur ngrihej kisha e Shën Triadhës në Korçë, një prift i moshuar qëndronte përsëri përpara besimtarëve. Ishte 6 janari i vitit 1991, e kremtja e Theofanisë. Pas viteve të gjata të ndalimit të besimit, Atë Kosta Kotnani kryente Bekimin e Madh të Ujit. Gazeta «Ngjallja» e përshkruan si një klerik 85-vjeçar, të rrethuar nga mijëra njerëz. Mungonin shumë nga mjetet e nevojshme për shërbesën, por ishin ruajtur besimi dhe dëshira për t’u lutur së bashku. Për Atë Kostën, kjo ditë ishte përgjigjja e një lutjeje që e kishte përsëritur gjatë përndjekjes: të mos largohej nga kjo jetë pa i parë kishat të hapura. [1]

    Pas atij çasti qëndronte një jetë me vuajtje,vështirësi, përgjegjësi familjare dhe shërbesë të fshehtë. Dëshmitë e tij dhe të familjarëve, të regjistruara nga Atë Elefther Karakitsio, na lejojnë të njohim njeriun që mbajti këtë barrë.

    Fëmijëria jetime dhe lidhja e hershme me Kishën

    Atë Kosta, me emrin Kostandin, ishte nga Polena e Korçës. Në një nga bisedat e fundit të regjistruara, ai tregonte se kishte humbur të atin kur ishte gjashtë muajsh dhe të ëmën kur ishte një vjeç. E rritën gjyshi dhe gjyshja, të cilët e edukuan me besimin te Perëndia. Që në fëmijëri shkonte në kishë dhe mësonte psaltikën pranë mësuesit të kishës së fshatit. Me kalimin e viteve u bë psalt. Himnet që mësoi atëherë i ruajti në kujtesë deri në pleqëri. Për të siguruar jetesën punonte si murator dhe mjeshtër i gdhendjes së gurit. Kishte krijuar familje dhe ishte baba i një djali dhe i një vajze. Puna me gurin do ta shoqëronte edhe pas dorëzimit në priftëri dhe, më vonë, do të bëhej përsëri mjeti kryesor për mbajtjen e familjes.

    Klerikë dhe besimtarë në Kishën e Shën Kristoforit në Polenë.

    Klerikë dhe besimtarë në Kishën e Shën Kristoforit në Polenë.

    Burgimi përpara priftërisë

    Përballja e tij me ndëshkimin shtetëror kishte nisur përpara se të bëhej prift. Sipas dëshmisë familjare të botuar në libër, në gusht të vitit 1949 u thirr të shkonte për punë në Maliq. Ai kundërshtoi, duke thënë se kishte punë në shtëpi. Pas refuzimit u dënua me tre muaj burg, të cilët i vuajti në Korçë. Këtë episod familjarët e kujtonin si një nga sprovat e hershme të jetës së tij. Ai i parapriu viteve kur përndjekja do të prekte drejtpërdrejt edhe shërbesën e tij kishtare.

    Dorëzimi në priftëri dhe ndalimi i shërbesës

    Në intervistën e tij, Atë Kosta thoshte se ishte dorëzuar prift në vitin 1964 nga Episkopi Damian. Kapitulli kushtuar atij e paraqet si prift të kishës së Shën Gjergjit në Korçë. Vetëm pak vjet më pas, në vitin 1967, mbyllja e kishave dhe ndalimi i veprimtarisë fetare e detyruan të hiqte rason. Ai kujtonte se, pas disa ditësh, kur nuk kishte më mundësi ta mbante, e hoqi dhe e fshehu. Bashkë me të ruajti libra dhe sende kishtare. U kthye te puna e muratorit dhe e gdhendësit të gurit. Në të vërtetë, siç shpjegonte vetë, këtë zanat nuk e kishte ndërprerë plotësisht as gjatë shërbesës si prift. Një fotografi e ruajtur në arkivin e tij e tregon duke punuar në kooperativë më 1968. Ajo dëshmon jetën e përditshme të një kleriku të cilit i ishte ndaluar shërbesa publike dhe që vazhdonte të siguronte bukën me punën e duarve.

    Atë Kosta Kotnani (në të djathtë) si laik gjatë periudhës së ateizmit

    Atë Kosta Kotnani (në të djathtë) si laik gjatë periudhës së ateizmit

    Marrja në pyetje dhe frika për familjen

    Familjarët rrëfejnë edhe një episod që nisi gjatë një bisede me një shok pune. Duke kujtuar vendin ku më parë kryhej shërbesa e Theofanisë, Atë Kosta shprehu shpresën se Perëndia do ta ndihmonte popullin dhe se një ditë do të hidhej përsëri Kryqi në ujë. Biseda u denoncua dhe të dy u thirrën në polici. Sipas këtij rrëfimi, shoku i tij u burgos, ndërsa Atë Kosta u mbajt nën kufizim në shtëpi dhe iu nënshtrua kontrolleve të përsëritura. Familjarët e lidhnin këtë trajtim edhe me moshën e tij të madhe.

    Të paralajmëruar për kontrollin e mundshëm, njerëzit e shtëpisë fshehën librat dhe ikonat në një arkë druri. E mbështollën, e groposën në kopsht dhe mbi vendin e fshehjes mbollën perime. Kontrolli që pasoi nuk i zbuloi. Dëshmia familjare shton se shoku i burgosur doli nga burgu pas tetë vjetësh dhe vdiq rreth tre muaj më vonë. Familjarët e kujtonin vdekjen e tij sepse kishte ndodhur në të njëjtën ditë me atë të bashkëshortes së Atë Kostës.

    Kur fliste për periudhën e ndalimit të besimit, prifti i moshuar e theksonte se frika nuk ishte vetëm për veten. Ai mendonte për të gjithë familjen. Edhe në bisedat e zhvilluara pas rihapjes së kishave, kujtimi i kësaj frike mbetej i fortë.

    Shërbesat që kryheshin fshehurazi

    Në fillim të intervistës, Atë Kosta ishte i përmbajtur kur pyetej nëse kishte kryer shërbesa gjatë viteve të ndalimit. Më pas tregonte se, në raste të veçanta, kishte shërbyer në shtëpi, me shumë kujdes dhe vetëm mes njerëzve të besuar. Ai kujtonte një çift që i kishte kërkuar të kryente kurorëzimin. Fillimisht kishte hezituar: nuk kishte pranë librat dhe stolitë e nevojshme, ndërsa rreziku ishte i madh. Çifti këmbënguli dhe i tregoi një kryq të vogël metalik që e mbante të fshehur. Burri i tregoi edhe një shenjë në trajtë kryqi në kraharor, si dëshmi të besimit. Sipas rrëfimit të Atë Kostës, ai u lut që të bëhej vullneti i Perëndisë dhe kreu shërbesën me aq sa mbante mend, duke mbajtur kryqin fort në dorë.

    Për këtë temëMitropolia e Korçës feston Shën Pandelimonin në Tushemisht dhe Vithkuq

    Mitropoliti Anastasi kreu meshën hyjnore në kishën e shenjtorit, me pjesëmarrjen e klerikëve, besimtarëve dhe të rinjve nga kampi i mitropolisë.

    27.07.2026, 16:54

    Pas fjetjes së tij, familjarët dëshmuan se kishte kryer edhe kurorëzime e pagëzime të tjera, në shtëpi të ndryshme dhe në rrethe të besuara. Për shkak të kushteve, gjithçka bëhej me pak mjete dhe nën frikën e zbulimit.

    Pagëzimi i mbesës më 1987

    Një nga dëshmitë më të gjalla është ajo e mbesës së tij, Marisë. Ajo kujtonte se gjyshi e kishte pagëzuar më 1987, kur ishte pesë vjeçe. Shërbesa ishte kryer në dhomën e sipërme të shtëpisë. Dritaret ishin mbuluar me batanije, dyert ishin mbyllur dhe të pranishëm ishin vetëm pak njerëz. Në vend të kolimvithrës ishte përdorur një enë e vogël. Atë Kosta kishte një petrahil (epitrahil), librin e shërbesës dhe Miron e Shenjtë, të ruajtur në një shishe të vogël të fshehur në mur. Maria kujtonte vajosjen, prerjen e flokëve dhe kujdesin që të mos dilnin jashtë për disa ditë, nga frika se mos kuptohej çfarë kishte ndodhur. Sipas saj, në atë rast u pagëzua edhe vëllai i saj, Kosta. I biri i Atë Kostës, Ilia, dhe nusja, Tatiana, plotësonin këto kujtime. Pas rihapjes së kishave, njerëz të pagëzuar prej tij fshehurazi kërkonin edhe dëshmitë përkatëse të pagëzimit.

    Lutja, agjërimi dhe respektimi i të kremteve

    Jeta e besimit vazhdonte edhe përtej shërbesave të fshehta. Atë Kosta tregonte se lutej dhe përpiqej të agjëronte, megjithëse puna e rëndë dhe rraskapitja nuk e lejonin gjithmonë të mbante gjithçka siç dëshironte. Disa njerëz të besuar e pyesnin fshehurazi për datat e Pashkës, të Krishtlindjes dhe të kremteve të tjera. Ai llogariste ditët dhe u përgjigjej me kujdes. Familjarët kujtonin se e kishte të shenjtë ditën e diel dhe se, kur e detyronin të punonte, thoshte se ajo ishte dita e Perëndisë, dita e pushimit dhe e lutjes.

    Një ngjarje tjetër lidhet me punën në një oxhak fabrike në Elbasan. Ishte e Premtja e Madhe dhe ai nuk doli në punë, duke thënë se nuk ndihej mirë. Një miku të tij i shpjegoi se nuk donte të punonte atë ditë. Sipas dëshmisë, nuk punoi as të Shtunën e Madhe dhe për Pashkë, megjithëse më pas u përball me qortime dhe tallje.

    Ngushëllimi pranë kryqeve dhe librave të ruajtur

    Atë Kosta rrëfente se kishte kryer fshehurazi edhe Trisainë për të fjeturit, pa petrahil. Në varrezat e Korçës gjenin ende vend disa kryqe që nuk ishin shkatërruar. Ai i shikonte, lutej dhe merrte forcë. Librat kishtarë ishin një tjetër mbështetje e çmuar. Disa i kishte fshehur pranë oxhakut, në mur; të tjerë ishin ruajtur nga familja në vende të ndryshme. Pas fjetjes së tij, Atë Eleftheri përshkruan dhjetëra libra të vjetër në shtëpi: libra psaltike, libra shërbesash dhe një Tipiko të botuar më 1907. Në këtë të fundit kishte një shënim pronësie të vitit 1910. Këto libra kishin kaluar nga një brez te tjetri dhe kishin mbijetuar bashkë me njerëzit që i ruanin. Familja kujtonte gjithashtu se Atë Kosta përpiqej të dëgjonte Liturgjinë Hyjnore në radio. Zëri duhej mbajtur ulët, që të mos dëgjohej jashtë shtëpisë.

    Dëshira për të jetuar deri në rihapjen e kishave

    Atë Kosta lutej vazhdimisht që të mos vdiste përpara se të rihapeshin kishat. Dëshironte të shërbente përsëri dhe të përcillej nga kjo jetë si prift, me rason dhe me shërbesën e Kishës. Kur e tallnin duke e pyetur ku ishte Perëndia dhe ku ishin kishat e tij, përgjigjej se ajo gjendje do të kalonte. Besonte se do ta shihnin përsëri me raso.

    Kujtimet e Sotir Bambulit, të botuara nga Mitropolia e Shenjtë e Korçës, e lidhin rikthimin e tij në shërbesën publike me përpjekjet e besimtarëve për hapjen e kishave. Kur i çuan lajmin për hapjen e kishës në Boboshticë, Atë Kosta u gëzua dhe kërkoi që kjo të bëhej edhe në Korçë. I biri, Iloja, e priti lajmin me lot gëzimi. [3]

    Rikthimi përpara besimtarëve

    Më 6 janar 1991, Atë Kosta kreu Bekimin e Madh të Ujit në vendin e kishës së Shën Triadhës. Motrat Cico kishin ruajtur stoli kishtare, ndërsa Jani Trebicka kishte përgatitur kryqin. Në mungesë të kambanës, besimtarët përdorën një tingull të regjistruar. Mijëra njerëz u mblodhën për shërbesën. [1, 3]

    Më 18 janar, Atë Kosta meshoi në fshatin e tij, Polenë. Më 2 shkurt, në të kremten e Ipapandisë, kreu Liturgjinë Hyjnore në truallin e kishës së Fjetjes së Hyjlindëses në Korçë, megjithëse temperatura arrinte 18 gradë nën zero. [1]

    Emri i tij përmendet edhe ndër klerikët që morën pjesë në Liturgjinë e 17 marsit 1991 në kishën e Profetit Ilia dhe në përpjekjet për riorganizimin e jetës kishtare. Po atë vit ishte ndër përfaqësuesit e Korçës në Asamblenë kleriko-laike të zhvilluar në Tiranë. [4]

    Foto e pastruar nga Meshimi në kishën e Shëndëllisë 17 Mars 1991 më poshtë dhe me ngjyra me ndihmën e IA.

    Foto e pastruar nga Meshimi në kishën e Shëndëllisë 17 Mars 1991 më poshtë dhe me ngjyra me ndihmën e IA.
    Atë Kosta Kotnani, prifti i Korçës nga përndjekja te rihapja e kishave - foto 4

    Foto e pastruar nga Meshimi në kishën e Shëndëllisë 17 Mars 1991 më poshtë dhe me ngjyra me ndihmën e IA.

    Familjarët kujtonin se rikthimi në shërbesë i kishte dhënë gjallëri të re. Sipas tyre, megjithëse përpara hapjes së kishave kishte probleme shëndetësore dhe dilte pak nga shtëpia, më pas u përpoq të mos mungonte në Liturgjinë Hyjnore. Në dëshminë e të birit përmendet edhe një vizitë në Follorinë më 1991. Atje Atë Kosta kreu Liturgjinë Hyjnore, e cila u transmetua në radio. Për të, rikthimi te altari ishte një gëzim që nuk e kishte humbur shpresën ta përjetonte.

    I biri vazhdon shërbesën

    Një gëzim i veçantë për Atë Kostën ishte rruga kishtare e të birit, Ilias. Në takimin e vitit 1993, ai ishte dhjak dhe mësonte në shkollën kishtare në Durrës. Ilia tregonte se mësonte edhe nga i ati. Përvoja e priftit të moshuar, njohja e shërbesave dhe psaltika e ruajtur në kujtesë bëheshin kështu një ndihmë për brezin e ri të klerikëve. Atë Kosta fliste me shpresë për dorëzimin e tij në priftëri. Atë Ilia, i biri i papa Kostës siç e thërrisnin besimtarët, sot ka tashmë 33 vjet që shërben si klerik me një kontribut të madh shpirtëror pranë Mitropolisë së Shenjtë Korçë.

    Takimi i fundit dhe himnet e pleqërisë

    Në takimin e 18 korrikut 1999, Atë Eleftheri e gjeti të dobësuar, por me mendje të kthjellët. Sipas rrëfimit, ishte në vitin e 93-të të jetës. Atë Kosta fliste me mirënjohje për të birin dhe për nusen që kujdesej për të. Për Tatianën thoshte se tashmë i ishte bërë si nënë: e lante, e vishte dhe i qëndronte pranë. Kur i kërkuan një këshillë, foli për durimin, bindjen dhe lutjen. Falënderonte Perëndinë për jetën e tij dhe për mundësinë që kishte pasur të bëhej prift. Më pas nisi të psalte përmendësh himne të Profetit Ilia, të Hyjlindëses dhe të Shën Kostandinit. Zëri ishte dobësuar nga mosha, por kujtesa e melodive dhe e fjalëve mbetej e gjallë. Shpjegonte se gjatë viteve të ndalimit i psalte vetëm dhe se prej tyre merrte forcë.

    Pas fjetjes së tij, familjarët dëshmuan se dëshira e kahershme ishte përmbushur edhe në përcjelljen e fundit: në shërbesën e varrimit kishin marrë pjesë Kryepiskopi, shtatë priftërinj dhe shumë njerëz.

    Jeta e Atë Kosta Kotnanit mbetet dëshmi e besimit të ruajtur në rrethana të rënda. Ai njohu frikën, rrezikun për veten dhe familjen, punën rraskapitëse dhe privimin nga shërbesa publike. Megjithatë, ruajti lutjen, kujdesin për besimtarët dhe shpresën se do të vinte dita kur do të qëndronte përsëri përpara altarit.

    Më parë, Mitropolia e Shenjtë priti dy vizita miqësore, në kuadër të jetës kishtare që vazhdon edhe sot në rajonin e Korçës.

    Tona
    Selita
    Zeqillari
    Max
    Your browser does not support the video tag.
    Share. Facebook WhatsApp Copy Link
    ECO

    Related Posts

    KORÇË/ 17 PERSONA TË PROCEDUAR PAS PROTESTËS, ASNJË I ARRESTUAR

    October 17, 2026

    TIA: Asnjë fluturim shtesë nga Tel Avivi drejt Tiranës, operimet vijojnë sipas skedulit

    October 16, 2026

    Dhuna gjatë protestës në Korçë, 2 të arrestuar dhe 23 të proceduar penalisht

    October 16, 2026

    Lajmësi nuk preket! Pas sulmeve ndaj mediave qëndrojnë gazetarë që i kanë kushtuar jetën informimit

    October 15, 2026
    TE FUNDIT

    Atë Kosta Kotnani, prifti i Korçës nga përndjekja te rihapja e kishave

    October 17, 2026

    KORÇË/ 17 PERSONA TË PROCEDUAR PAS PROTESTËS, ASNJË I ARRESTUAR

    October 17, 2026

    TIA: Asnjë fluturim shtesë nga Tel Avivi drejt Tiranës, operimet vijojnë sipas skedulit

    October 16, 2026

    Dhuna gjatë protestës në Korçë, 2 të arrestuar dhe 23 të proceduar penalisht

    October 16, 2026
    EKSKLUZIVE

    Pogradec: i mituri përplaset nga makina, një tjetër shtetase sulmohet nga qen

    Dr. Zamir Capo/Pneumologu pogradecar që e sheh mjekësinë si mision

    Banbus Tours, agjencia e re turistike në Korçë

    Advertisement
    eSIM SIGNAL
    Bufi Urte
    Facebook Instagram
    • Vendi
    • Rajoni
    • Evropa
    • Bota
    • Kulture
    • Jetese
    • Sport
    © 2026 Bufi Urte. Designed by Patron Marketing.

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.