Pas protestës së banorëve në Qafëzez, Prefektin i Qarkut Korçë Nertil Jole ka njoftuar se ; Do të fillojë nesër ndërtimi i urës së tipit “Bailey” në fshatin Qafzezë, duke rikthyer kalueshmërinë për banorët e 12 fshatrave të bashkisë Kolonjë.
Vendimi u mor pas përcjelljes së shqetësimit te ministri i Mbrojtjes z. Pirro Vengu dhe kreut të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile z. Haki Çako, me qëllim zgjidhjen e shpejtë të problemit deri në ndërtimin e një ure përfundimtare dhe më të qëndrueshme.
Duke marrë parasysh shqetësimin e drejtë të komunitetit, që për shkak të dëmtimit të urës kishte mbetur pa lidhje alternative qarkullimi, institucioni i Prefektit të Qarkut e trajtoi me prioritet situatën.
Falenderime i shkojnë Ministrit të Mbrojtjes z. Pirro Vengu dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile z. Haki Çako për reagimin e menjëhershëm dhe mobilizimin e strukturave për ndërtimin e urës së tipit “Bailey”.
Sot, inxhinieri i Batalionit të Xhenios të Ministrisë së Mbrojtjes, së bashku me nënprefektin e Kolonjës Adriatik Brace, sektorin e emergjencave civile të Prefekturës së Korçës, drejtorinë e emergjencave civile të bashkisë Kolonjë dhe inxhinierët e ARRSH-së (drejtoria Qendër–Lindje), zhvilluan inspektimin pranë urës së Qafzezës.
Gjatë vlerësimit u vendos që në këtë pikë të ndërtohet ura Bailey, për të garantuar sa më shpejt kalimin e mjeteve dhe lëvizjen e komunitetit.
Punimet nisin me angazhimin maksimal të të gjitha strukturave përkatëse për përfundimin e shpejtë të saj.
Falenderime për durimin dhe mirëkuptimin e banorëve të zonës! Përfundon prefekti Jole


