Drejtori i Përgjithshëm i Policia e Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, ka bërë të ditur pezullimin e disa efektivëve të policisë, mes tyre edhe shefi i Komisariatit të Devollit, Bilbil Lita, si dhe shefi i Seksionit të Krimeve në këtë komisariat, Denis Sinani.
Sipas burimeve nga policia, dy drejtuesit dyshohet se nuk kanë zbatuar si duhet detyrën në lidhje me parandalimin e kultivimit të kanabisit në zonën e Peqinit, çka ka sjellë marrjen e masës së pezullimit deri në përfundim të verifikimeve.
Masat u prezantuan nga vetë drejtori Hita gjatë një mbledhjeje të zhvilluar paraditen e sotme në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me pjesëmarrjen e drejtuesve vendorë dhe të strukturave të policisë kufitare. Në takim u kërkua angazhim maksimal për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të lëndëve narkotike, si dhe përgjegjësi institucionale në çdo nivel drejtues.
Përveç Litës dhe Sinanit, janë pezulluar edhe disa efektivë të tjerë, në kuadër të masave administrative që synojnë rritjen e kontrollit dhe forcimin e luftës kundër kultivimit të kanabisit.
Burime zyrtare bëjnë me dije se pezullimi ka ardhur pasi dy drejtuesit e policisë me mosveprimet e tyre kanë lejuar mbjelljen e hashashit nga drejtori i burgut të Rrogozhinës dhe familjarët e tij, ndërsa pritet që verifikimet e mëtejshme të sqarojnë plotësisht rrethanat dhe përgjegjësitë konkrete të secilit punonjës policie të përfshirë në këtë rast.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur autoritetet kanë theksuar vazhdimisht se lufta kundër kultivimit të kanabisit mbetet një nga prioritetet kryesore të strukturave ligjzbatuese në vend.


