Një incident i raportuar në Pustec gjatë vizitës zyrtare të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka ngjallur reagime pas mosekzekutimit të Himnit Kombëtar Shqiptar në aktivitetin e zhvilluar atje.
Ish-deputeti Ervin Salianji e ka cilësuar të papranueshme, fyese dhe skandaloze mungesën e himnit shqiptar, duke theksuar se Pusteci është pjesë e territorit të Republikës së Shqipërisë dhe se simbolet kombëtare duhet të respektohen.
Salianji deklaroi se të drejtat e minoriteteve janë të garantuara me ligj, por ato nuk mund të shërbejnë si arsye për mosrespektimin e simboleve dhe institucioneve të shtetit shqiptar. Sipas tij, mosluajtja e Himnit Kombëtar në një aktivitet zyrtar brenda territorit të Shqipërisë është një shkelje e pafalshme.
Për ngjarjen ka reaguar edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila shprehu keqardhje për mungesën e Himnit Shqiptar. Ministria e cilësoi këtë si një shmangie nga rregullat e protokollit dhe të mirësjelljes institucionale, duke nënvizuar se simbolet kombëtare duhet të respektohen krahas simboleve të komuniteteve që ato përfaqësojnë.
Ndërkohë, kryebashkiaku i Pustecit, Pali Kolefski, ka deklaruar se aktiviteti nuk ishte organizuar nga bashkia dhe se ai kishte kërkuar që Himni Shqiptar të përfshihej në ceremoni.


