Varri i poetit Gëzim Medolli është dhunuar në varrezat publike të Korçës. Dëmtimi është konstatuar së fundmi nga i afërmi i tij, Artur Medolli, i cili dyshon se bëhet fjalë për një akt të qëllimshëm.
Deri më tani nuk ka të dhëna për autorët apo motivet e mundshme të këtij veprimi.
Gëzim Medolli, me origjinë nga Tresteniku i Devollit, ishte poet dhe ish-i burgosur politik, i cili kaloi një pjesë të konsiderueshme të jetës në burgjet e diktaturës komuniste. Ai u arrestua në vitin 1970, pasi tentoi të arratisej nga Shqipëria, dhe u dënua me 10 vite burg. Në vitin 1973, Gjykata e Rrethit të Mirditës e ridënoi me pesë vite të tjera heqje lirie, me akuza që lidheshin me sabotimin dhe pjesëmarrjen në një organizatë kundër pushtetit komunist.
Medolli u bë i njohur edhe për qëndresën e tij në burgjet e regjimit dhe për krijimtarinë poetike. Pas viteve ’90, ai u angazhua në politikë, duke u zgjedhur kryetar i Ballit Kombëtar në Korçë në vitin 1992 dhe sekretar i përgjithshëm i kësaj partie në vitin 1996.
Dëmtimi i varrit të tij ngre pikëpyetje për rrethanat e ngjarjes dhe sigurinë në varrezat publike të qytetit. Megjithatë, në mungesë të një verifikimi zyrtar, nuk mund të thuhet nëse kemi të bëjmë me vandalizëm të qëllimshëm apo me dëmtim të shkaktuar nga faktorë të tjerë.
Familjari kërkon që rasti të marrë vëmendjen e duhur, ndërsa mbetet për t’u sqaruar se si dhe në çfarë rrethanash është dëmtuar varri i poetit.


