Në Hoçisht të Devollit, një shtëpi muze ruan historinë e Marigo Posios, gruas që lidhet me qëndisjen e flamurit shqiptar, simbolit të Pavarësisë.
Marigo Posio ka jetuar për katër vite në këtë banesë, e cila sot shërben si muze, ku ekspozohen dokumente dhe dëshmi mbi jetën dhe veprimtarinë e saj patriotike.
Mbesa e saj, Violeta Pojani, këmbëngul se dokumentet dhe dëshmitë historike të ruajtura në arkiva konfirmojnë rolin e Marigos në përgatitjen dhe qëndisjen e flamurit që u ngrit më 28 Nëntor 1912. Sipas saj, për këtë histori ekzistojnë 12 variante dhe dëshmi të ndryshme që hedhin dritë mbi kontributin e saj.
Por veprimtaria e Marigo Posios nuk u kufizua vetëm te flamuri. Ajo ishte e angazhuar në çështjen kombëtare dhe në përpjekjet për emancipimin e gruas shqiptare. Pojani tregon se Marigoja kishte krijuar shoqatën “Shpresa Kombëtare” dhe kishte drejtuar gazetën “Shpresa e Kombit”, e cila kishte në fokus gruan shqiptare dhe emancipimin e saj.
Ndërsa historia dhe dokumentet e saj ruhen në këtë muze, problem mbetet infrastruktura. Rruga që të çon te banesa muze është e pasistemuar, në një gjatësi prej vetëm 100 metrash. Sipas Violetës Pojani, kërkesat për ndërhyrje pranë institucioneve janë bërë prej rreth 10 vitesh, por ende nuk kanë marrë zgjidhje.
Ajo thotë se gjendja e rrugës vështirëson vizitat, veçanërisht gjatë festave dhe për nxënësit që shkojnë për të njohur nga afër historinë e Marigo Posios.
Më shumë se një shekull pas shpalljes së Pavarësisë, kontributi i saj vijon të kujtohet në Hoçisht. Por për të vizituar shtëpinë ku ruhet kjo histori, ende duhet kaluar një rrugë prej vetëm 100 metrash, për të cilën banorët dhe familjarët kërkojnë ndërhyrje.


