Në sallën e Këshillit Bashkiak të Bashkisë Maliq është zhvilluar këtë të martë dëgjesa me qytetarët, në kuadër të Reformës së re Administrativo-Territoriale. Në qendër të diskutimeve ishte propozimi për bashkimin e Bashkisë Maliq me Bashkinë Korçë, një ide që ka ngjallur kundërshtime të forta në komunitet.
Për herë të parë, kryebashkiaku i Maliqit, Gëzim Topçiu, foli publikisht për reformën, duke theksuar se ende nuk ka qartësi të plotë se çfarë do të ndryshojë në organizimin, kompetencat, financat dhe investimet e bashkisë nëse reforma miratohet.
“Ende unë jam i paqartë për atë çfarë do të ndodhë, në kuptimin çfarë do të ndryshojë në qoftë se do të miratohet kjo reformë e re, cili do të jetë statusi i qyteteve tona, i bashkive tona, i kompetencave, i financave, i investimeve. Problematikat janë të gjera edhe pavarësisht kësaj nuk mund të thuhet me një po e me një jo”,-tha Topçiu.
Topçiu tha se pikëpyetjet janë të shumta edhe për qytetarët, ndërsa bëri të ditur se po përgatit një material me argumentet e tij për t’ia përcjellë Kuvendit të Shqipërisë. Sipas tij, reforma nuk lidhet vetëm me ndryshimin e një ligji, por kërkon ndërhyrje edhe në ligjin për pushtetin vendor, financat dhe kompetencat e njësive vendore.
“Mua më kanë pyetur qytetarë të ndryshëm, media të ndryshme, rrjete sociale të ndryshme: cili është mendimi juaj? Dhe unë e kam shprehur njëherë mendimin tim që në komision, në grupin e komisionit parlamentar. Patjetër që kam qenë kundër shkrirjes apo bashkimit të bashkisë”,-u shpreh kryebashkiaku.
Kryebashkiaku bëri edhe dallimin mes termave “shkrirje” dhe “bashkim”, duke sqaruar se projektligji parashikon bashkimin e Bashkisë Maliq me Bashkinë Korçë. Sipas tij, Maliqi do të vijonte të funksiononte si njësi me organizim të brendshëm, ndërsa kryetari i bashkisë do të zëvendësohej me një zëvendëskryetar funksional.

“Projektligji i propozuar parashikon që Bashkia Maliq të bashkohet me Bashkinë Korçë dhe organizimi i brendshëm propozohet të kalojë nga bashki në njësi administrative që jemi sot, në bashki, qytet dhe njësi administrative. Nuk do të thotë që njësitë administrative të Maliqit do të varen nga Korça, por do të varen përsëri nga Maliqi. Nuk do të ketë kryetar bashkie, por do të ketë një zëvendëskryetar funksional”,-deklaroi Topçiu.
Topçiu theksoi se debati, sipas tij, nuk duhet të fokusohet te pozicioni i kryetarit të bashkisë, por te mënyra se si reforma do të ndikojë te qytetarët, shërbimet, investimet dhe zhvillimi i zonës.
“Për mua nuk duhet parë bashkia, pozicioni, ky organizim si një moment që duhet të qajmë hallin e një kryetari bashkie. Por unë mendoj që duhet të shikojmë sa shërbimet ndaj njerëzve vijnë më afër, sa u zgjidhen më lehtë, sa Maliqi do të ecë më mirë, sa investime do të marrim më shumë, sa do t’u shërbejë qytetarëve. Domethënë koncepti është shumë i gjerë”,-tha ai.
Por qytetarët që morën pjesë në dëgjesë ishin të prerë në qëndrimin e tyre. Pranvera Begolli, këshilltare e Partisë Socialiste në Bashkinë Maliq, deklaroi se është kundër bashkimit me Korçën, duke ngritur si shqetësim edhe faktin që, sipas saj, dëgjesa nuk është zhvilluar në Maliq përpara se të propozohej reforma.
“Jam kundër bashkimit me Korçën, edhe si këshilltare e bashkisë, por edhe si qytetare. Atëherë për disa arsye. E para, është bërë dëgjesë në Korçë, nuk është bërë dëgjesë në Bashkinë e Maliqit. E dyta, performanca e Bashkisë Maliq është nga më të mirat. Është bashkia e 18-të apo e 14-të për popullsi, por edhe e dyta për bujqësi”,-tha Begolli.
Begolli e lidhi kundërshtimin edhe me identitetin e zonës, duke theksuar rëndësinë e Maliqit si një qendër me histori, bujqësi dhe zhvillim të veçantë.
“Ne jemi fusha e Maliqit, toka e Maliqit, kënetë e Maliqit, nuk i themi kënetë e Korçës. A e pyetën njëherë se si e shikojnë, përpara se të mendojnë bashkimin me Korçën? Unë jam kundër totalisht për këtë punë. Por ligji i parlamentit të na tregojë për çfarë arsye bëhet ky bashkim. Për çfarë arsye bashkohen këto bashki?”,-shtoi ajo.
Edhe specialisti i auditit në Bashkinë Maliq, Emiljano Kodra, argumentoi kundër bashkimit, duke vënë në dukje investimet e kryera ndër vite dhe rritjen e vlerës së pronave në qytet.
“Kemi bashkim me performancën më të mirë. Këtë e them sepse në të gjitha trajnimet që bëhen, na thonë: jeni model. E dyta, investimet që keni bërë në këtë bashki janë kolosale dhe i kanë rritur vlerën qytetit. Në qoftë se një shtëpi dikur shitej 1.2 apo 1.3 milionë, sot një hyrje në pallat shitet 2.8 apo 3.4 milionë lekë. Dhe kjo është falë statusit të bashkisë, është falë asaj pune kolosale që ju keni bërë. Dhe bashkimi i Bashkisë Maliq me Korçën do të rrëzojë të gjithë këtë punë prej 20 e ca vitesh”,-deklaroi Kodra.

Shqetësimet për shërbimet dhe taksat ishin një tjetër argument i ngritur nga qytetarët. Një prej tyre tha se bashkimi me Korçën mund të sjellë, sipas tij, rritje të kostove për familjet dhe pensionistët, duke përmendur veçanërisht tarifën e ujit.
“Unë jam kundër bashkimit me Bashkinë e Korçës, se nuk mund ta quajmë shkrirje, po e quajmë bashkim. Për këtë arsye, që ka kaq vite që qyteti i Maliqit është në rang republike, është qytet më i pastër. Edhe na vjen shumë keq, për shembull, që në qoftë se ne do të bashkohemi me Korçën, nuk do kemi këto shërbimet kurrë, kurrë!”,-tha një qytetar.
Qytetari ngriti edhe shqetësimin për infrastrukturën dhe problemet konkrete me të cilat përballen banorët, duke thënë se pas bashkimit frikësohet se zëri i Maliqit do të dëgjohet më pak.
“Në qoftë se nuk do kemi gjë në dorë ne, nuk do na pyesë njeri më për asgjë. Nuk do kemi as shërbime. Edhe besoj se edhe taksat, për shembull që janë taksat vendore, do jenë më të larta, siç paguhen në Korçë. Ne këtu paguajmë 5-7 mijë lekë të vjetër ujin, atje në Korçë paguajnë 23-24 mijë lekë të vjetër ujin. Edhe fuqia e pagesës për ne nuk është. Ne pensionistë jemi, jemi pa punë, rinia nuk ka”,-u shpreh banori.
Dëgjesa në Maliq u shoqërua kështu me një qëndrim të qartë kundërshtues nga qytetarët dhe përfaqësues të pushtetit vendor.
Ndërsa reforma e re administrative pritet të vijojë diskutimin në nivel institucional, banorët e Maliqit kërkojnë më shumë qartësi mbi statusin e ardhshëm të qytetit, kompetencat, financat, investimet dhe mbi të gjitha shërbimet që do të marrin pas ndryshimit të propozuar.
Në qendër të debatit mbetet pyetja nëse bashkimi me Korçën do të sjellë më shumë zhvillim dhe shërbime për Maliqin, apo nëse do të rrezikojë autonominë, identitetin dhe ritmin e zhvillimit të zonës


