*
Në 114-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, në sheshin historik të Vlorës u zhvillua sot ceremonia zyrtare e ngritjes së flamurit kombëtar, një nga momentet më domethënëse të festimeve të 28 Nëntorit.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, mori pjesë në ceremoninë solemne, ku së bashku me autoritetet më të larta shtetërore nga Shqipëria dhe Kosova, nderuan ditën historike të 28 Nëntorit 1912, kur Ismail Qemali shpalli Pavarësinë dhe ngriti flamurin kombëtar, duke shënuar themelimin e shtetit shqiptar.
Në mesazhin e tij me rastin e kësaj dite, Kryetari Peleshi theksoi rëndësinë e kujtesës historike, nderimin për themeluesit e shtetit shqiptar dhe përgjegjësinë për të ardhmen e vendit.
“28 Nëntori është dita kur kujtesa jonë kombëtare merr kuptimin më të thellë. Në Vlorë, aty ku nisi historia e shtetit shqiptar, përulemi me respekt para burrave që shpallën Pavarësinë dhe të gjithë atyre që me sakrificën e tyre mbrojtën lirinë dhe dinjitetin e kombit.
Sot, flamuri ynë kuqezi na bashkon në krenarinë për historinë, identitetin dhe përgjegjësinë për ta çuar Shqipërinë përpara, drejt së ardhmes europiane”, u shpreh Kryetari i Kuvendit.
Ceremonia u shoqërua me pjesëmarrjen e qindra qytetarëve, përfaqësuesve vendorë dhe institucioneve shtetërore, në një atmosferë feste, emocionesh dhe krenarie kombëtare. Vlora, qyteti ku u shpall Pavarësia, mbetet çdo 28 Nëntor simboli i kujtesës sonë historike, i bashkimit dhe i identitetit kombëtar.


