Më shumë se 130 vite histori rrezikojnë të mbeten pas mureve të një godine të lënë prej vitesh në harresë. Bëhet fjalë për Shkollën e Vashave në Korçë, një prej simboleve më të rëndësishme të arsimit shqip dhe emancipimit të gruas shqiptare.
Në vitin 1891, në këtë godinë mësonin më shumë se 100 vajza. Shkolla u ngrit falë përpjekjeve të familjes Qiriazi, e cila pati një rol të rëndësishëm në historinë e arsimit, Rilindjes Kombëtare dhe protestantizmit shqiptar.
Sot, godina është riblerë nga komuniteti ungjillor, i cili ka nisur ndërhyrjet e para emergjente për të ndalur degradimin e saj. Synimi, megjithatë, është shumë më i madh: rikthimi i godinës në identitet dhe shndërrimi i saj në një muze të historisë së arsimit dhe të familjes Qiriazi.
Sipas David Hosaflook, nga Institute for Albanian & Protestant Studies, ndërtesa ka një rëndësi të veçantë për historinë e komunitetit protestant dhe të qytetit të Korçës.
“Ky objekt, pavarësisht se është monument kulture, ka qenë i pabesueshëm dhe gjendja është e tmerrshme. Ka nevojë për ndërhyrje urgjente, vetëm ta mbrojmë. Në tetor kemi 135-vjetorin e Shkollës së Vashave. Qëllimi dhe ideja është të kthehet në muze. Duam të bëjmë një muze shumë tërheqës për kombin shqiptar. Nuk ka qenë vetëm shkollë apo kishë, janë fshehur çeta, ka qenë spital për të plagosurit dhe shumë gjëra të tjera kanë ndodhur këtu”, shprehet ai.
Punimet kanë nisur fillimisht për të mbrojtur godinën nga përkeqësimi i mëtejshëm, ndërsa projekti synon krijimin e një hapësire muzeale ku vizitorët të mund të njihen me historinë e Shkollës së Vashave, familjes Qiriazi dhe dokumenteve të rëndësishme të periudhës.
Nga një ndërtesë ku dikur vajzat shqiptare mësonin gjuhën e tyre, synohet të krijohet një hapësirë që do t’u rrëfejë brezave historinë e arsimit dhe emancipimit të gruas shqiptare.
Pas vitesh harrese, sfida mbetet rikthimi në jetë i kësaj godine dhe shndërrimi i saj në një muze që tërheqë jo vetëm qytetarët e Korçës, por edhe vizitorë e turistë të interesuar për një prej kapitujve më të rëndësishëm të historisë së arsimit shqip.


