PUSTEC – Për të katërtin vit radhazi, mjekë specialistë bullgarë kanë mbërritur në zonën e Prespës për të ofruar vizita dhe kontrolle shëndetësore falas për banorët e Pustecit.
Këtë vit, misioni shënon një risi, pasi për herë të parë pjesë e tij janë edhe mjekë specialistë shqiptarë nga Korça dhe Pogradeci. Aktiviteti financohet nga pala bullgare dhe synon jo vetëm ofrimin e shërbimit shëndetësor për banorët, por edhe shkëmbimin e eksperiencave mes mjekëve të dy vendeve.
Donatori i kësaj nisme, Milen Vrabevski, tha se përfshirja e specialistëve shqiptarë përbën një hap të ri në bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Bullgarisë.
“Për herë të parë në këto vizita është pjesë edhe Shqipëria. Bullgaria financon, ndërsa pala shqiptare dërgon specialistë nga Korça e Pogradeci”, u shpreh Vrabevski.
Mjekët do të ofrojnë shërbime kryesisht në kardiologji dhe reumatologji, ndërsa një pjesë e rëndësishme e misionit është edhe ndjekja e pacientëve të vizituar gjatë viteve të mëparshme.
Rikthehen te pacientët e vizituar më parë
Kardiologu bullgar Ivo Petrov tha se misioni nuk do të fokusohet vetëm te pacientët e rinj, por edhe te ndjekja e rasteve të trajtuara në misionet e mëparshme.
“Ne do të kontrollojmë pacientët që kemi vizituar para tre vitesh për të parë ecurinë e tyre. Do të vijojmë të merremi me terapitë dhe kujdesin ndaj tyre”, tha Petrov.
Përfshirja e mjekëve shqiptarë krijon gjithashtu mundësi për shkëmbim eksperiencash profesionale dhe bashkëpunim më të ngushtë në trajtimin dhe ndjekjen e pacientëve.
Deputetët bullgarë: Duam të forcojmë lidhjet me Shqipërinë
Në mbështetje të misionit kanë qenë edhe një grup deputetësh të Parlamentit bullgar.
Deputetja Elisaveta Belobradova vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve dhe mbështetjen që po i jepet misionit shëndetësor në Shqipëri.
Ndërsa deputetja Rosi Kirova u ndal te lidhjet mes komunitetit bullgar dhe Shqipërisë, duke përmendur edhe njohjen e minoritetit bullgar dhe të drejtën për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit.
“Për ne, të gjithë ata që jetojnë këtu janë motrat dhe vëllezërit tanë”, u shpreh Kirova.
Ajo tha se Bullgaria do të vijojë ta mbështesë këtë mision edhe në vitet e ardhshme.
Deputeti Mihail Mihailov, në emër të grupit parlamentar bullgar, deklaroi se Bullgaria mbështet Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Europian.
Ai përmendi edhe bashkëpunimin ekonomik dhe infrastrukturor mes dy vendeve, veçanërisht Korridorin VIII, duke theksuar se nismat humanitare dhe donacionet nuk duhet të lidhen me identitetin e njerëzve.
“Ka gjëra që na lidhin nga e kaluara dhe ka që na lidhin me të ardhmen”, u shpreh Mihailov.
Kolevski: Një zhvillim i rëndësishëm për Pustecin
Kryetari i Bashkisë Pustec, Pali Kolevski, e cilësoi përfshirjen e specialistëve shqiptarë në mision si një zhvillim të rëndësishëm.
Ai falënderoi donatorët për mundësimin e vizitave falas dhe e vlerësoi nismën si një tjetër dëshmi të marrëdhënieve të mira mes Shqipërisë dhe Bullgarisë.
Ambasadori bullgar: Aktivitetet nuk janë vetëm në Prespë
Gjatë aktivitetit, ambasadori bullgar u pyet nëse aktivitetet dhe donacionet e Bullgarisë në Pustec lidhen me zgjedhjet lokale të vitit 2027.
Ambasadori deklaroi se kjo është pjesë e politikës së brendshme shqiptare dhe nuk është një çështje për të cilën ai mund të mbajë përgjegjësi.
Ai theksoi se aktivitetet bullgare nuk janë të përqendruara vetëm në Prespë, duke përmendur edhe projekte të tjera zhvillimore në zona të ndryshme të Shqipërisë. Sipas tij, një prej tyre lidhet me parandalimin e krimit, si një prej elementëve të rëndësishëm në procesin e integrimit europian.
Sa i përket çështjeve të identitetit në zonën e Prespës, ambasadori tha se nuk komenton deklaratat e përfaqësuesve të shteteve të tjera dhe se për të dhënat mbi popullsinë duhet t’u referohemi statistikave zyrtare të INSTAT.
“E rëndësishme për ne është të punojmë me Shqipërinë. Unë nuk jam vetëm këtu, por edhe në zona të tjera dhe do t’i shihni aktivitetet tona”, u shpreh ai.
Mjeku bullgar: Të fokusohemi te gjërat që na bashkojnë
Reumatologu bullgar Vladimir Koravo solli një këndvështrim personal mbi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bullgarisë.
Ai tregoi se rreth dhjetë vite më parë kishte realizuar dokumentarin “Bar Sofia Tirana”, gjatë punës për të cilin, sipas tij, kishte kuptuar se dy vendet kanë më shumë gjëra që i bashkojnë sesa ato që i ndajnë.
“Duhet t’u japim më tepër energji gjërave që na bashkojnë dhe jo atyre që na ndajnë. Nga ndarja vuajnë vetëm fëmijët tanë”, tha Koravo.
Misioni shëndetësor vijon në Pustec me vizita falas në kardiologji dhe reumatologji.
Përfshirja për herë të parë e mjekëve shqiptarë nga Korça dhe Pogradeci shënon një etapë të re të bashkëpunimit shëndetësor mes dy vendeve, ndërsa pala bullgare ka paralajmëruar vijimin e kësaj nisme edhe në vitet e ardhshme.


