Debate të forta kanë shoqëruar mbledhjen e Komisionit për Reformën Administrativo-Territoriale, të zhvilluar në Korçë, ku banorë, përfaqësues vendorë dhe përfaqësues politikë diskutuan mbi hartën e re territoriale.
Pjesëmarrësit kërkuan që asnjë nga bashkitë e juglindjes – Korçë, Maliq, Pogradec, Kolonjë, Devoll dhe Pustec – të mos shkrihet apo bashkohet me njësi të tjera, duke argumentuar se një ndryshim i tillë do të largonte shërbimet nga qytetarët dhe do të përshpejtonte braktisjen e zonave rurale.
Përfaqësues nga Devolli u shprehën se komuniteti është i bashkuar në mbrojtje të bashkisë si njësi më vete, ndërsa banorë të Kolonjës sollën në vëmendje pasojat e reformës së vitit 2014, duke e cilësuar bashkimin e Leskovikut me Ersekën si një padrejtësi që ka sjellë humbje të shërbimeve për qytetarët.
Gjatë diskutimeve u theksua se çdo bashkim i ri do ta vështirësonte aksesin e banorëve në shërbimet publike, pasi do t’i detyronte të udhëtonin drejt qyteteve të tjera. Disa folës paralajmëruan se dobësimi i bashkive do të sillte boshatisjen e mëtejshme të zonave rurale.
Takimi u shoqërua edhe me tensione dhe debate mes simpatizantëve të forcave kryesore politike.
Në përfundim të mbledhjes, për mediat folën edhe ministri Arbjan Mazniku dhe deputeti Luçiano Boçi. Mazniku i cilësoi protestat si normale në një vend demokratik, ndërsa Boçi deklaroi se nuk mund të diskutohet për një reformë të re administrativo-territoriale në një kohë kur, sipas tij, qytetarët janë në protestë.


