Tregtarët e tregut maqedonas në qytetin e Korçës kanë protestuar sot para bashkisë, pas një vendimi të komunikuar vetëm një ditë më parë që i detyron të heqin tendat ekzistuese të dyqaneve dhe t’i zëvendësojnë me tenda të reja, sipas modelit, formës dhe ngjyrës së përcaktuar nga bashkia.
Sipas tregtarëve, kostoja e këtij investimi duhet të përballohet nga vetë bizneset, çka ka sjellë reagim të fortë, pasi shumë prej tyre shprehen se po përballen me vështirësi serioze ekonomike dhe mezi sigurojnë mbijetesën. Ata e konsiderojnë këtë vendim një barrë të papërballueshme financiare, në një kohë kur aktiviteti tregtar është dobësuar ndjeshëm.
Protestuesit kanë pritur për më shumë se një orë para bashkisë, me shpresën që kryebashkiaku të dilte për të dhënë shpjegime dhe për të diskutuar mbi shqetësimin e tyre, por pas mungesës së një reagimi zyrtar, janë larguar të zhgënjyer.
Tregtarët paralajmëruan se, nëse situata vijon pa zgjidhje, do të detyrohen të tregtojnë vetëm brenda ambienteve të dyqaneve, pa ekspozuar mallrat jashtë, pasi nuk kanë mundësi financiare të përballojnë shpenzimet për tendat e reja dhe projektin e ri urbanistik të bashkisë për tregun maqedonas. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa tregtarët kërkojnë dialog dhe rishikim të vendimit.


