Presidenti i Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, deklaroi nga Korça se ligji i sponsorizimit dhe ai i basteve sportive pritet të miratohen brenda këtij viti.
Sipas Yllit, procesi i dëgjesave publike ka përfunduar dhe tashmë mbetet vetëm procedura e votimit në Parlament.
“Kanë përfunduar të gjitha dëgjesat. Brenda muajit dhjetor ligji mund të shkojë në Parlament për votim. Kryeministri ka dhënë dritën jeshile, janë marrë mendimet e federatave dhe Komitetit Olimpik. Do të kemi ligj sponsorizimi dhe bastesh sportive, të cilët janë shumë të rëndësishëm për sportin, artin dhe kulturën”, u shpreh ai.
Duke folur për investimet sportive në Korçë, Ylli u ndal edhe te projekti i stadiumit të ri, i premtuar prej vitesh për qytetin. Ai tha se projekti është përballur me vështirësi pasi në tenderimin e zhvilluar nuk ka shfaqur interes asnjë kompani.
Sipas tij, qeveria do të rishikojë projektin për ta bërë më tërheqës për investitorët privatë, duke marrë si model projektet që po zhvillohen në qytete të tjera të vendit.
Ndërkohë, juglindja e vendit ka përfituar investime në fusha futbolli, volejbolli, tenisi dhe infrastrukturë të tjera sportive, por kërkesa kryesore e sportdashësve korçarë mbetet ndërtimi i stadiumit të ri të qytetit.


