Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, nën drejtimin e Fortlumturisë së tij Kryepiskopit Joan, ka zgjedhur sot, më 16 shtator 2025, me vota të plota, Mitropolitin e ri të Korçës. Në krye të kësaj Mitropolie do të jetë Hirësia e tij Anastas Mamaj, i cili deri tani ka shërbyer si Episkop i Krujës. Fronëzimi i tij do të mbahet më 27 shtator, në orën 11:00, në Katedralen e Ngjalljes së Krishtit në Korçë.
Hirësia Anastas Mamaj ka lindur në Vlorë, në vitin 1979. Pas studimeve në Gjuhë Greke në Universitetin e Athinës dhe në Administrim Biznes në Universitetin e Vlorës, ai vijoi formimin e tij akademik në fushën e teologjisë në Akademinë “Ngjallja e Krishtit” dhe në Kolegjin Universitar “Logos”, ku mori diplomë në Studime Teologjike Sociale.
Karriera e tij profesionale nisi në sektorin bankar, ku mbajti poste drejtuese në Bankën Italo-Shqiptare dhe Union Bank. Që prej vitit 2017 ka pasur një rol të rëndësishëm në administrimin e pasurisë dhe aktiviteteve të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë. Ai u hirotonis dhjakon në vitin 2018, prift në vitin 2019 dhe mori titullin e Arkimandrit në vitin 2020.
Aktualisht, Anastas Mamaj shërben si Protosingjel i Kryepiskopatës së Tiranës dhe Durrësit, si dhe si Drejtor Ekzekutiv i Institucionit Universitar “Logos”. Me zgjedhjen e tij në krye të Mitropolisë së Korçës, ai pritet të sjellë një vizion bashkëkohor, duke ruajtur traditën dhe forcën shpirtërore të Orthodhoksisë në këtë trevë historike.