Deputetja e Partisë Demokratike, Ledina Alolli, ka reaguar për vendimin e socialistëve të Këshillit Bashkiak të Korçës për t’i dhënë mendim ‘pro’ bashkimit të Bashkisë Maliq me Bashkinë Korçë.
Në postimin e saj, Alolli ngre pikëpyetje mbi motivet dhe efektet e kësaj nisme, duke kërkuar që në qendër të debatit të jenë nevojat konkrete të qytetarëve.
Alolli e zhvendos vëmendjen te pyetjet që lidhen drejtpërdrejt me jetën e banorëve: shërbimet, investimet, administrimin, zonat rurale dhe përfaqësimin. “A do të dëgjohet zëri i qytetarëve të Maliqit?”, është pyetja që deputetja vendos në qendër të reagimit të saj, përpara qëndrimit që pritet të mbajë Këshilli Bashkiak i Maliqit.
REFORMË PËR QYTETARËT APO LLOGARI ELEKTORALE?
Një vendim i pritshëm. Vështirë se mund të ndodhte ndryshe.
Pas diskutimeve, Këshilli Bashkiak i Korçës dha mendimin pro bashkimit të Bashkisë Maliq me Bashkinë Korçë: 25 vota pro dhe 5 kundër.
Për mua, ky vendim reflekton më shumë një urdhër politik dhe një llogari elektorale sesa një reformë të ndërtuar mbi nevojat reale të qytetarëve.
Sepse, nëse kjo reformë bëhet për qytetarët, pyetja e parë duhet të jetë: çfarë fitojnë ata prej saj?
A do t’i kenë shërbimet më pranë? A do të përmirësohet administrimi? A do të ketë më shumë investime? Çfarë ndodh me zonat rurale dhe përfaqësimin e tyre?
Në vend të përgjigjeve konkrete për këto pyetje, po shohim një hartë që po vizatohet nga lart-poshtë.
Korça e dha mendimin e saj.
Më 28 shtator është radha e Maliqit.
Atë ditë, Këshilli Bashkiak i Maliqit do të duhet të shprehë më vete qëndrimin e tij.
Dhe aty pyetja është shumë e thjeshtë: a do të dëgjohet zëri i qytetarëve të Maliqit?


