Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook lidhur me inaugurimin e rrugës Qukës-Qafë Ploçë, duke e cilësuar atë një nga veprat më të gjata në ndërtim dhe një shembull të korrupsionit në Shqipëri.
Berisha: “Rruga duhej të përfundonte në vitin 2014”
Berisha kujton se ndërtimi i këtij aksi prej 43 kilometrash filloi më 26 qershor 2009, me një financim prej 73 milionë eurosh nga Banka Islamike, përfshirë edhe ndërtimin e tunelit në Qafë-Ploçë. Sipas tij, projekti parashikonte përfundimin e rrugës brenda vitit 2014, por pas ndryshimeve të qeverisë në vitin 2013, financimi u ndërpre dhe projekti u zvarrit.
“Me dajre dhe gajde u inaugurua pas 16 vitesh një rrugë që duhej të kishte mbaruar në vitin 2014. Ky është rekord i zvarritjes dhe i vjedhjeve në historinë e infrastrukturës shqiptare”, – shkruan Berisha.
Akuzat për korrupsion dhe kosto të fryra
Berisha thekson se rruga Qukës-Qafë Ploçë është një projekt ku “u vodhën rreth 180 milionë euro”, ndërsa kostoja totale shkoi në 260 milionë euro, duke u katërfishuar krahasuar me çmimin fillestar. Ai e cilëson procesin si “serialin vidh e vidh nuk ka të sosur”, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për keqpërdorim të fondeve dhe ndryshime të panevojshme të projektit.
Rëndësia e rrugës Qukës-Qafë Ploçë
Ky aks ndjek pjesërisht gjurmët e rrugës së lashtë Egnatia, duke shkuratuar distancën mes Korçës dhe Tiranës dhe duke ndihmuar në zhvillimin e zonës së Mokrës. Sipas Berishës, edhe pse projekti ka rëndësi strategjike, mënyra se si u menaxhua është një shembull i qartë i shpërdorimit të fondeve publike.
Ish-kryeministri e mbylli reagimin e tij me tone ironike, duke e krahasuar inaugurimin e rrugës me një “festë korrupsioni”.
Statusi i plotë:
Inaugurohet pas 16 vitesh rruga “vidh e vidh nuk ka të sosur” prej 43 km Qukës-Qafë-Ploçë. Ajo duhet të përfundonte në vitin 2014!
Të dashur miq, sot me dajre dhe gajde u inaugurua 16 vite pas inaugurimit të fillimit të punimeve rruga prej 43 km Qukës-Qafë-Ploçë. Kjo rrugë, ndërtimi i të cilës zgjati 16 vite si asnjë rrugë tjetër, është gjithashtu vepra publike në të cilën u vodhën në rreth 180 milionë euro. Rruga ndjek deri diku në trajektoren e saj gjurmën e rrugës së lashtë “Egnatia” dhe shkurton distancën Korçë-Tiranë dhe urbanizon krahinën e Mokrës. Ndërtimi i saj filloi më 26 qershor të vitit 2009. Ajo u prokurua për shumën 73 milionë euro, financim i Bankës “Islamike” për ndërtimin e saj në të gjithë gjatësinë, përfshirë tunelin në Qafë-Ploçë dhe përfundimin e saj brenda vitit 2014. Pas fillimit të punimeve dhe përfundimit të 12 km të para dhe pas zgjedhjeve të 2013, Edi Rama kërkoi bankës të anulonte financimin e projektit, mbasi sipas tij nuk nevojitej dhe fondin ta përdorte për qëllime të tjera. Banka “Islamike”, e cila kishte shqyrtuar projektin dhe miratuar atë dhe supervizorin e tij, iu përgjigj se qeveria shqiptare mund të anulojë kredinë, kurse banka nuk mund ta ndryshojë destinacionin e saj për qëllime të tjera. Pas kësaj, Ramaduro ndryshoi projektin dhe nisi seriali “vidh e vidh nuk ka të sosur”. Me projektin e Ramaduros, si kurrë ndonjëherë, segmentet e rrugës dy vitet e fundit nuk bashkoheshin njëri me tjetrin në dy raste, sepse nuk ndiqnin të njëjtën trajektore. Kështu, çmimi për ndërtimin e rrugës nga 73 milionë euro për 43 km përfundoi në mbi katërfishim, apo në 260 milionë euro. Por po të kemi parasysh mbi trefishimin e kohës së ndërtimit, çmimi real i saj në raport me kthimin e investimit shkon më së paku edhe tre herë më i lartë. Në inaugurim, Lubia e ekzaltuar këndonte nënse: “Bjeri gajdes gajdexhi, gajdexhi të lumtë goja se ne mbushëm xhepat tona. O Eeeeeeee Gajdexhiiiiiii!”