Një histori mbi 100-vjeçare e lidhur me muzikën dhe traditën korçare ruhet në familjen Furxhi. Një koleksion i veçantë kitarash dhe mandolinash, të trashëguara brez pas brezi, dëshmon dashurinë e kësaj familjeje për artin dhe muzikën.
Maria Furxhi tregon se shumica e instrumenteve janë mbi 100-vjeçare dhe vijnë nga vende të ndryshme, duke përfaqësuar një pasuri me vlera artistike dhe historike për qytetin e Korçës.
Pas këtij koleksioni qëndron edhe historia e Lefter Furxhit, gjyshit të Marias, i cili pavarësisht se ishte i verbër, u bë një instrumentist i njohur. Ai krijoi grupin e parë të të verbërve në Shqipëri, duke përfshirë në të fëmijë të jetimores dhe duke u dhënë mundësinë të shprehnin talentin e tyre përmes muzikës.
Tradita nisi edhe më herët, nga stërgjyshi i Marias, një tregtar i njohur në Korçë, i cili krahas aktivitetit tregtar kishte pasion koleksionimin e instrumenteve muzikore.
Sot, kjo pasuri ruhet nga Maria dhe babai i saj, Koste Furxhi. Një koleksion që përtej vlerës së instrumenteve mbart kujtime, histori familjare dhe një pjesë të rëndësishme të traditës muzikore korçare, e cila vazhdon të jetojë edhe në brezat e rinj.


