55 vite nga themelimi i Universitetit “Fan Noli” në Korçë janë festuar mbrëmjen e djeshme në ambientet e Teatrit “Andon Zako Çajupi”. Në këtë përvjetor të rëndësishëm për arsimin e lartë në juglindje, janë bërë bashkë përfaqësues të institucioneve vendore, stafi akademik, studentë dhe të ftuar të tjerë, për të kujtuar rrugëtimin e universitetit ndër vite dhe për të diskutuar mbi sfidat e së ardhmes.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, e cilësoi Universitetin “Fan Noli” si një institucion jetik për zhvillimin e rajonit të Korçës, duke theksuar nevojën për mbështetje dhe reformim të vazhdueshëm. Sipas tij, arsimi i lartë po përballet me sfida të reja, veçanërisht për shkak të zhvillimeve teknologjike dhe inteligjencës artificiale, ndaj universiteti duhet të përshtatet me këto ndryshime.
Nga ana tjetër, rektori i Universitetit “Fan Noli”, Lorenc Ekonomi, u ndal te zhvillimet e viteve të fundit, duke theksuar se universiteti ka shënuar rritje të prurjeve studentore dhe ka reformuar ofertën akademike në përputhje me nevojat e tregut të punës dhe prioritetet e rajonit.
“Jemi në një fazë transformimesh të rëndësishme. Kemi ecur dhe kemi bërë shumë hapa përpara. Po të shikosh prurjet e studentëve katër vitet e fundit, jemi çdo vit në rritje. Kemi reformuar ofertën akademike në drejtim të prioriteteve që ka qeveria shqiptare, Bashkimi Europian dhe kërkesat që ka rajoni i Korçës, që kanë të bëjnë me digjitalizimin, turizmin dhe bujqësinë, duke krijuar mastera shkencorë, doktoratura të reja dhe po ecim shumë mirë në këto drejtime”, tha Ekonomi.
Ekonomi bëri të ditur gjithashtu se gjatë këtij viti janë hapur programe të reja studimi dhe doktoratura në bashkëpunim me universitete të huaja. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe inteligjencës artificiale dhe shkencës së të dhënave, me programe në gjuhën shqipe dhe angleze, me synim edhe ndërkombëtarizimin e universitetit.
“Këtë vit ne hapëm masterin shkencor në shkenca kompjuterike me Universitetin e Barit të Italisë, diplomë duale. Gjithsesi kemi hapur këtë vit edhe doktoraturën në studime etnokulturore, që është diplomë duale me Universitetin e Timishoarës në Rumani. Po kështu dhe doktoratura që hapëm këtë vit, inteligjencë artificiale me qëllim ndërdisiplinor, që është në gjuhën shqipe dhe anglisht, në mënyrë që ne të përftojmë dhe studentë të huaj, por edhe udhëheqës të huaj. Po kështu dhe dega Data Science që hapëm këtë vit është edhe në shqip edhe në anglisht, përsëri për këtë qëllim”, shtoi ai.
55-vjetori shënon një moment reflektimi për arritjet e Universitetit “Fan Noli”, por edhe për sfidat që e presin në vitet e ardhshme, me synimin për të forcuar rolin e tij në përgatitjen e profesionistëve dhe në zhvillimin e rajonit të Korçës.


