Forcimi i marrëdhënieve ekonomike dhe nxitja e investimeve mes Shqipërisë dhe Japonisë ishin në fokus të Forumit të Biznesit Shqipëri-Japoni, i zhvilluar në Tiranë, ku u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit në sektorët e energjisë, infrastrukturës, logjistikës dhe teknologjisë.
Forumi u organizua nga JETRO, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe AIDA, me mbështetjen e Ambasadës së Japonisë në Shqipëri dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Japoni (AJCCI). Në aktivitet mori pjesë edhe presidenti i JETRO-s, Susumu Kataoka, i cili mbërriti në Shqipëri i shoqëruar nga 17 përfaqësues të biznesit japonez.
Në një deklaratë për mediat, së bashku me presidentin e AJCCI-së, Avni Ponari, Kataoka vlerësoi potencialin ekonomik të Shqipërisë, duke theksuar rritjen ekonomike, projektet infrastrukturore, pozicionin gjeopolitik dhe burimet njerëzore si faktorë që e bëjnë vendin interesant për investitorët japonezë.
Nga ana e tij, Avni Ponari u shpreh se synimi është kalimi nga dialogu te bashkëpunimi konkret, duke identifikuar mundësi të reja në tregjet financiare, energji, turizëm, bujqësi, prodhim, digjitalizim dhe teknologji.
Ai theksoi se Japonia ofron teknologji, standarde cilësie dhe përvojë menaxheriale, ndërsa Shqipëria ka potencial sipërmarrës dhe mundësi për partneritete afatgjata. Ponari garantoi gjithashtu mbështetjen e Dhomës për kompanitë japoneze që synojnë të investojnë në Shqipëri dhe në rajon.
Forumi u shoqërua edhe me takime dypalëshe B2B, ku bizneset shqiptare dhe japoneze patën mundësi të prezantonin interesat e tyre dhe të shqyrtonin projekte të përbashkëta.
Pjesëmarrësit vlerësuan se mundësitë për bashkëpunim janë të shumta, ndërsa rezultatet konkrete të këtij forumi pritet të përcaktojnë ecurinë e mëtejshme të partneritetit ekonomik mes dy vendeve.


