Në Kuvend është prezantuar projektligji për ngritjen dhe funksionimin e Liceut francez të Korçës, një projekt i rëndësishëm për arsimin shqiptar, që synon të rikthejë traditën e njohur arsimore të qytetit, duke e përshtatur me standardet bashkëkohore.
Nisma po zhvillohet në bashkëpunim me Qeverinë franceze, nën kujdesin e Presidentit Emmanuel Macron dhe Kryeministrit Edi Rama. Liceu do të jetë një shkollë publike e orientuar drejt shkencës dhe inovacionit, ku mësimi do të zhvillohet në tri gjuhë: shqip, frëngjisht dhe anglisht.
Një nga veçoritë kryesore të këtij institucioni do të jetë mundësia që nxënësit të pajisen me dy diploma, atë të Maturës Shtetërore shqiptare dhe diplomën e Maturës franceze, duke përfituar një formim me standarde ndërkombëtare pa u larguar nga Shqipëria.
Liceu do të jetë i hapur edhe për nxënës nga vendet e rajonit, duke synuar të kthehet në një qendër të rëndësishme arsimore dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.
Projekti konsiderohet gjithashtu një hap drejt afrimit të sistemit arsimor shqiptar me standardet europiane dhe një mundësi e re për brezat e rinj. Me këtë nismë, Korça synon të rikthejë një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë së saj arsimore, duke e orientuar atë drejt së ardhmes.


