Një koleksion veprash të realizmit socialist është prezantuar në Galerinë e Arteve në Korçë, në kuadër të ekspozitës “Dua më shumë Shqipërinë”. Përmes pikturave dhe skulpturave, vizitorët kanë mundësinë të njihen më nga afër me krijimtarinë e disa prej artistëve të njohur shqiptarë dhe me një periudhë të rëndësishme të historisë së artit pamor.
Përgjegjësi i Galerisë së Arteve, Kreshnik Hoxhalli, bën me dije se një pjesë e veprave ekspozohen për herë të parë për publikun. Punimet janë realizuar nga artistë korçarë dhe shqiptarë, duke sjellë në vëmendje vlerat e fondit artistik të qytetit.
Për piktorin Dritan Shellira, ekspozita përbën një mundësi për të rikthyer vëmendjen te krijimtaria e kësaj periudhe. Ndër veprat e veçanta ai veçon tablonë e Roland Karanxhas, “Vallja e Osman Takës”.
Interes për ekspozitën kanë shfaqur edhe dy vizitorë francezë, arkitekti Hervé Loiselet dhe fotografi Loïc Chauvin, të cilët vlerësojnë veçantinë artistike të punimeve, përdorimin e ngjyrave dhe mënyrën se si ato përcjellin historinë e kohës.
Sipas tyre, arti i realizmit socialist mbart një dimension historik, shoqëror dhe politik, ndërsa pikturat tërheqin vëmendjen edhe për cilësitë dhe veçoritë e tyre artistike.
Në ekspozitë janë përfshirë punime të artistëve Roland Karanxha, Ruzhdi Goskova, Guri Madhi, Spiro Xega, Dhimitër Çani, Todi Dallta, Rafail Dembo, Vladimir Kaçaku, Llazi Tili dhe Shaban Haderi.
Ekspozita “Dua më shumë Shqipërinë” do të qëndrojë e hapur për publikun deri në fund të muajit nëntor.


