Ersekë u bë mikpritëse e një takimi me poezinë, ku autori Rinalt Kasko prezantoi librin e tij të parë poetik, “Qyteti prej letre”.
Prej më shumë se 1000 poezive të shkruara ndër vite, autori ka përzgjedhur rreth 200 prej tyre për t’i përfshirë në këtë vëllim. Vargjet pasqyrojnë emocione, histori të dëgjuara dhe përjetime personale, duke sjellë tema të ndryshme, nga dashuria dhe gëzimi, te mërzia dhe revolta.
Në promovimin e zhvilluar në Kolonjë morën pjesë emra të njohur të artit shqiptar, mes tyre aktorët Alfred Trebicka, Luiza Xhuvani dhe Xhevahir Zeneli, si dhe artistë e personalitete të tjera.
Për poetin Eris Rusi, titulli “Qyteti prej letre” mbart disa kuptime, ndërsa krijimtaria e Kaskos krijon një lidhje të drejtpërdrejtë me lexuesin, i cili mund të gjejë veten në vargjet e autorit.
Edhe këngëtari Selami Kolonja vlerësoi krijimtarinë e Kaskos, duke e cilësuar atë si një zë të veçantë në poezinë shqiptare dhe duke theksuar individualitetin e tij artistik.
Me botimin e “Qyteti prej letre”, Rinalt Kasko ndan me publikun një pjesë të krijimtarisë së tij shumëvjeçare, duke sjellë në vëmendje një univers poetik të ndërtuar mes emocioneve, përjetimeve dhe reflektimeve mbi jetën.


