Fshati turistik i Linit, një prej destinacioneve më të vizituara të juglindjes, po përfiton dy shërbime jetike për banorët dhe zhvillimin e turizmit: furnizimin me ujë të rrjedhshëm dhe sistemin e kanalizimeve të ujërave të zeza.
I njohur për natyrën, sitet kulturore dhe historinë e tij të lashtë, Lini prej vitesh përballej me mungesën e këtyre shërbimeve bazike. Ujërat e zeza derdheshin në liqen, duke krijuar jo vetëm ndotje mjedisore, por edhe situata të pakëndshme për turistët, për shkak të aromave të rënda që përhapeshin në fshat.
Për banorët, ndërhyrja për zgjidhjen e kësaj problematike përbën një lehtësim të shumëpritur pas vitesh mungesash.
Megjithatë, gjatë zbatimit të projektit nuk kanë munguar debatet mes punonjësve dhe banorëve. Këta të fundit kërkojnë garanci për lidhjen e të gjitha familjeve me sistemin e ri, si dhe për rikthimin në gjendjen e mëparshme të rrugëve të dëmtuara nga punimet. Sipas drejtuesit të punimeve, Elio Dodaj, në përfundim të projektit këto problematika do të marrin zgjidhje.
Zgjidhja e ndotjes nga ujërat e zeza në Lin dhe në disa fshatra të tjerë përgjatë liqenit ka qenë gjithashtu një nga kërkesat kryesore të UNESCO-s ndaj autoriteteve shqiptare, për shkak të ndikimit që derdhja e tyre kishte në florën dhe faunën e liqenit të Ohrit.


