Një ndeshje me pesë gola, emocione dhe rivalitet deri në sekondat e fundit është zhvilluar në stadiumin “Selman Stërmasi”, ku Tirana ka arritur të mposhtë Skënderbeun me rezultatin 3-2, në takimin e vlefshëm për javën e 13-të të Abissnet Superiore.
Bardheblutë kaluan në avantazh në minutën e 27-të, pas një autogoli të Lagonidis, ndërsa vetëm një minutë më vonë Daci dyfishoi shifrat. Në minutën e 34-t, Xhixha realizoi golin e tretë për Tiranën, duke krijuar përshtypjen e një fitoreje të lehtë.
Megjithatë, Skënderbeu reagoi dhe arriti të rihapë takimin që në pjesën e parë. Braga shënoi në minutën e 39-të, ndërsa Musa realizoi golin e dytë në shtesën e pjesës së parë, duke e mbyllur këtë fraksion me rezultatin 3-2.
Në pjesën e dytë, korçarët kërkuan me ngulm barazimin dhe patën disa raste të rrezikshme. Një prej momenteve më të diskutueshme ishte pretendimi për penallti pas një ndërhyrjeje ndaj Lleshit, por pas rishikimit me VAR, arbitri vendosi të mos akordonte 11-metërsh.
Skënderbeu iu afrua barazimit edhe në minutat shtesë, kur Nasr goditi shtyllën, por rezultati mbeti i pandryshuar.
Me këtë fitore, Tirana ngjitet në kuotën e 19 pikëve dhe mban vendin e tretë në renditje, dy pikë më shumë se Skënderbeu, që pozicionohet në vendin e katërt.


