Close Menu
Bufi UrteBufi Urte
    What's Hot

    Pranverë shqiptare në Athinën e motit 1900

    May 9, 2026

    Pringles? Një nga mashtrimet më të mëdha që i është shitur njerëzve si “patatina”.

    May 9, 2026

    Drama e grave të Kosovës, filmi ‘Zgjoi’ shfaqet në Pogradec

    May 8, 2026
    Facebook X (Twitter) Instagram
    • Na kontaktoni
    • Punesim
    • Marketing
    Facebook Instagram
    Bufi UrteBufi Urte
    • Home
    • Vendi
    • Rajoni
    • Evropa
    • Bota
    • Kulture
    • Jetese
    • Sport
    Bufi UrteBufi Urte
    Home » Pranverë shqiptare në Athinën e motit 1900
    Vendi

    Pranverë shqiptare në Athinën e motit 1900

    May 9, 2026
    Facebook WhatsApp Copy Link
    Share
    Facebook WhatsApp Copy Link

     

    Në një letër të datës 3 prill 1900 Jani Vretoja i shkruante nga Athina Sotir Koleas në Kavallë se më datën 5 mars të atij viti, ditë e diel, në shtëpinë e mjekut Llazar Kristoviçit, nën kujdesin e Konstandin Ziko Sulotit, mësues, ishte kryer një mbledhje që kishte pasur temë bisede themelimin e një shoqërie të shkronjave shqipe. Jani Vreto propozoi ta quanin shoqërinë “Dhodhona”, bashkëkuvenduesit e pranuan, ndaj dhe më datë 19 mars u miratua Kanonizma e shoqërisë, kurse më 26 mars u zgjodh kryesia: Miltiadh Kanari, kryetar i parë, Marko Boçari kryetar i dytë, Athanas Argjiroj, sekretar, Themistokli Zullumi, arkëtar, kurse këshilltarë u zgjodhën Panajot Gangliu, Joan Dheloja, Konstanin Ziko Lambridhi, Llazar Kristoviçi, Aleksandër Konduli, dhe anëtarë që do të kujdeseshin për hartimin e teksteve dhe shtypjen e tyre u zgjodhën vetë Jani Vretoja, Konstandin Ziko Lambridhi, Joan Dheloja dhe Athanas Argjiroj. [Sokol Çunga: Jani Vreto, korrespondencë me Sotir Kolean, Tiranë, 2024, dok. 56, fq. 142-143.]

    Your browser does not support the video tag.

    Personat e mësipërm nuk qenë individë të rastësishëm. Miltiadh Kanari (1822-1902) ishte politikan arvanitas dhe kundëradmiral i flotës greke, i biri i Konstandin Kanarit, figurë e shquar arvanitase, luftëtar i kryengritjes antiosmane të grekëve dhe pesë herë kryeministër i Greqisë. Për Marko Boçarin (1833-1900) flet vetë emri i tij, ishte një prej pasardhësve të familjes së madhe të Boçarenjve, i biri i Dhimitër Boçarit (1808-1892), i cili kishte qenë adjutant i mbretit të Greqisë, Jorgos së Parë, deputet dhe Ministër i Mbrojtjes; Dhimitri ishte i biri i Noti Boçarit (175601841), vëlla me Kiçon, të atin e Marko Boçarit, të cilin Vretoja e shënon “Marko Burri”. Aleksandër Konduli (1858-1933) ishte diplomat dhe deri në fund të jetës së vet arriti gradën e gjeneral leitnantit. Sindonja një dekadë pas dokumentit të mësipërm pati marrë pjesë dhe në Kryengritjen e Malcisë (1911) nën pseudonmin “Skurtis”. Jani Vretoja (1822-1900) ishte një prej anëtarëve të Shoqërisë për Shtypjen e Shkronjave Shqip të Konstandinopojës, hartues i kanonizmës së asaj shoqërie, bashkëhartues i alfabetit shqip, që njihet si i Stambollit, dhe tipografi më i rëndësishëm i librit shqip gjatë shek. XIX, duke pasë shtypur 12 tituj librash në Bukuresht në dekadën 1880-1890. Kurse individët e tjerë grekë e arvanitas ishin promovues të bashkëpunimit greko-shqiptar dhe mbështetës të çështjes së shkronjave shqipe. Lajmin për themelimin e kësaj shoqate e botoi e përditshmja “Neologos” më datë 31 mars 1900, fq. 3, ku jepen emrat e kryesisë dhe shpjegohet qartë synimi i shoqatës: shtypja e librave shqip, me synim mësimin e gjuhës shqipe ndër shqiptarët dhe shtrëngimi i marrëdhënieve mes dy farave vëllazërore dhe të lavdishme, grekëve dhe shqiptarëve.

    Në të njëjtën periudhë gazeta “Neologos” boton një sërë shkrimesh pa emër autori ku promovohen marrëdhëniet vëllazërore që duhet të kultivojnë grekët dhe shqiptarët, si popuj vëllezër me prejardhje të përbashkët dhe fate që historia i ka ndërthurur ndër shekuj, e veçanërisht dy prej tyre vlen të trajtohen. Thelbi i tyre nuk mund të bartet duke i përmbledhur, ndaj dhe i sjellim të përkthyer në shqip. Teksti i parë, i shkurtër, por krejt i kthjellët, thotë:

    “Teksa situata në shtetin fqinj (në Turqi, S. Ç.) është siç e shohim sot dhe nuk e dimë dhe sa do të zgjasë, autoritetet e Athinës, të drejtuara nga qeveria, duhet të mendojnë se kanë disa detyrime që lidhen me interesat kombëtare. Në Athinë vërshojnë shumë turq, për një arsye a një tjetër, dhe kjo nuk është punë e papëlqyer, pasi kështu do të na njohin më mirë dhe kemi për t’u lidhur më fort mes nesh. Por mes këtyre muhamedanëve ka edhe shqiptarë, të cilët Greqinë nuk e konsiderojnë vend të huaj, por kanë ndërgjegjen se me ne lidhen në shumë forma dhe mënyra.

    Kemi detyrë që këta shqiptarë t’i trajtojmë në mënyrë të veçantë dhe t’u dëftejmë atyre me vepra se populli grek ushqen për shqiptarët ndjenja vëllazërore dhe interes të nxehtë për fatin e tyre. Në këtë këndvështrim, mbërritjen e tyre këtu duhet ta konsiderojmë si rast të lumtur për komunikimin e këtyre dy popujve vëllezër dhe këtë qeveria duhet ta kuptojë dhe t’ua mësojë edhe organeve të saj.” [“Neologos”, 22 prill 1900, fq. 1.]

    Kurse i dyti, duke krijuar një lidhje aspak të pavend mes arbëreshit Francesco Crispi (1818-1901) dhe realitetit historik të Greqisë së shek. XIX dhe kapërcyellit të shek. XX, ngre pyetje dhe propozon përgjigje:

    “Cila është detyra jonë? Sikur Krispi të mos kishte thënë gjithë sa ka shkruar për shqiptarët dhe grekët, nuk do të kishte qenë burrë e politikan me mend. Nuk do të kishte qenë as greko-shqiptar, siç është. Por, duke ngritur zërin gjëmimtar e sqimatar në mbrojtje të shqiptarëve dhe duke pranuar se vetëm mes tyre dhe grekëve shtrihen lidhje të palëkundura të historisë dhe të gjakut, dhe se vetëm me grekëve mund të bashkëjetojnë kombëtarisht dhe politikisht shqiptarët, siç e dëshmojnë se janë edhe njëra, edhe tjetra palë. “Shqiptari që mohon të përbashkëtat historike që ka me grekët dhe prejardhjen e përbashkët, sikur ka thënë se mohon kombësinë e tij, kurse greku që flet kështu, sikur ka thënë se mohon vetveten.” Këto të vërteta duhet të popullarizojmë, t’i përhapim kudo mes grekëve dhe shqiptarëve, pasi koha shtrëngon që të dy këta kombe të së njëjtës farë dhe marrëdhëniet mes tyre duhet të marrin formë të qëndrueshme dhe praktike. Avokatia ndaj këtyre të vërtetave prej burrit të lartë dhe autoritetit të birit të madh të Siqelisë, asaj Greqie tjetër në gjak, vjen në kohën e duhur për t’u mësuar edhe drejtuesve të politikës ndërkombëtare natyrën e çështjes shqiptare. Por mbi të gjitha është fshikullim i fortë ndaj qeveritarëve dhe qytetarëve të Greqisë së re. Sa kohë ishin gjallë burrat e ’21-shit, të cilën dinin historinë e tyre, shqiptarët, jo vetëm të krishterët, por edhe muhamedanët, konsideroheshin vëllezër, dhe lufta mes tyre shkaktoi në ndërgjegje luftën me karakter vëllavrasës, përplasjet brenda farës. Mirëpo grekët e rinj, me Demostenin dhe Ksenofondin në duar, e konsideruan poshtërues emrin e shqiptarëve dhe gjuhën shqipe, duke harrur se gjysma e Greqisë ka gjak të kulluar shqiptar, se shumë popullatë e saj flet këtë gjuhë, se djepi i grekëve dhe i helenëve ndodhet poshtë Akrokerauneve dhe se gjuha shqipe është ajo që zbërdhen periudhën pellazgjike dhe emigrimet historike, falë të cilave një pjesë e kësaj fare u shndërruan në helenë.

    Po nëse këto i harrojnë qeveritarët grekë, ja se ku shfaqen burra të klasit të parë, për t’u kujtuar detyrën e shpërfilluar dhe të harruar. Greqia duhet t’i hapë kat e kat gjinjtë e vet për idenë shqiptare. Greqia dhe Shqipëria janë vëllezërit siamezë, me dy kokë, por me një organizëm dhe një shpirt. Detyra jonë është të bëhemi udhërrëfyes në klloçitjen e lirisë së Shqipërisë dhe të autonomisë së shqiptarëve. Përndjekja e vëllezërve shqiptarë filloi në vendin fqinj dhe Greqia ka detyrën që jo vetëm Athinën ta kthejë në strehë të shqiptarëve dhe në altar të lirisë së tyre të ripërtërirë, por edhe autoritetet në Thesali dhe Epir t’i vërë në dijeni që të mos bëjnë dallime mes grekëve dhe shqiptarëve të cilitdo besim. [“Neologos”, 25 prill 1900, fq. 1.]

    Duke lënë mënjanë krahasimin e vëllezërve siamezë, që s’i përmbush nevojat estetike dhe higjienike të bashkëjetesës vëllazërore, artikulli hedh idenë e krijimit të një federate shtetërore greko-shqiptare, brenda të cilës askush s’qëndron më lart nga tjetri, pavarësisht prejardhjes dhe fesë. E matanë frazave politike programative, në të dy artikujt bien në sy çastet kur autori anonim u referohet atyre shqiptarëve myslimanë që nuk janë mbështetës së Portës së Lartë, por Greqinë e konsiderojnë atdhe të tyre, po aq sa Shqipërinë dhe grekët i konsiderojnë vëllezër. Për t’iu përgjigjur pyetjes se cilët janë këta shqiptarë nuk nevojitet të shfletojmë shumë, mjafton të lexojmë historinë e kohës ose fletët e mëpastajme të gazetës “Neologos”. Më 28 prill 1900 Ismail Qemali u largua nga Stambolli me një anije britanike, ditët e para të majit zbriti në portin e Pireut, shkoi në Athinë dhe qëndroi në hotel “Grande Bretagne” si mik në tokën greke. Sa i rëndësishëm ishte kjo lloj “arratisjeje” e I. Qemalit nga Turqia na e dëften gazeta “Neologos”, përmes së cilës njoftohemi më 9 maj se adjutanti i sulltanit, Ilam beu, pati mbërritur në Athinë duke pasur detyrë të veçantë të bindte beun tjetër të arratisur nga Stambolli, Ismailin (gazeta nuk ia përmend emrin), që të kthehej në Stamboll.

    Ndonëse themelimi i “Dhodhonës” përputhet në kohë me këtë klimë filoshqiptare në Athinë, vëmendja kryesore qartazi bie mbi Ismail Qemalin, artikujt e mësipërm apo të tjerë nuk duhen lexuar si të lidhur me Jani Vreton dhe “Dhodhonën”. Sikundër shpjegon më gjerë Ledia Dushku në Kur historia ndau dy popuj fqinj, Shqipëria dhe Greqia 1912-1914 (Tiranë, 2012, fq. 59-76), kjo klimë pranverore dhe dashamirësie në marrëdhëniet greko-shqiptare vinte si pasojë e fronteve armiqësore, ideologjike dhe ushtarake, në të cilat ndodhej Greqia e kohës, qoftë në kufirin me Turqinë, qoftë në atë me Bullgarinë. Teksa shqiptarët e pas Lidhjes së Prizrenit kishin filluar të kultivonin gjerësisht ndërgjegjen kombëtare dhe të artikulonin kërkesat për autonomi apo për pavarësi, Greqia po përgatitej për të caktuar vijën kufitare me shtetin e ri që do të dilte nga Perandoria Osmane. Shqiptarët nuk ishin ende të fuqishëm ekonomikisht dhe ushtarakisht, kësisoj, krijimi i klimës së vëllazërisë dhe bashkëpunimit mes shqiptarëve dhe grekëve ishte një diplomaci inteligjente dhe e butë në kohëra trazirash dhe pasigurie, pa krijuar kundërvënie të rëndësishme. Ndoshta prej këtij bashkëpunimi do të kishin përfituar të gjitha palët, sikur të kishte vijuar. Jo shumë vite më pas vendin e diskursit vëllazëror e zunë thirrjet e dyanshme të luftës, të cilat lanë shenja të pashlyeshme përmes konflikteve të armatosura që ndodhën në kuadrin e luftërave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore.

    Në Athinë Ismail Qemali u takua me gati gjysmën e qeverisë dhe qarqet politike të vendit, u takua me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe me Princ Nikollën e Greqisë. Po ashtu, I. Qemali gjeti kohë të takohej edhe me Jani Vreton. Teksa duket se bisedat e të dyve me grekët apo arvanitasit e Athinës shkonin fjollë, dy patriotët s’e gjetën dot gjuhën e përbashkët. Në letrën e tij të fundit për S. Kolean, Vretoja përshkruan takimin me Ismail Qemalin: “Do të kish marr’ udhë vëllazëria “Dhodona”, po goditi e erth këtu Izmailbe Vlora, të cilënë e pritnë me nder si mbëret, për hir të Shqipërisë pas të shkruaravet mia, prej së cilash një pjesë ishte ngritja [kopje, S. Ç] me dorët tënde, dhe të cilatë i këndoj ipurgoj [ministri, S. Ç.] i punëvet jashtërme, dhe dorë ndë për dorë po i marrënë njerës të urtë e e këndonjënë. Ky Izmailbeu pas ca fjalëve pashë që s’ishte një me Samibejnë e Naimbejnë, edhe tha që, Alfavita e Shqipjesë që kanë bërë Samibeu e Vaso Shkodrani e Vretua s’ishte bërë me mendim dhe z’vete mbarë. Dhe na i ftohu disa vëllezrë. Po të shumëtë thanë s’ishte puna jonë të përzihemi ndë alfavitët të shqipesë, si janë tiposurë vivlla gjëtek të tiposenë dhe këtu. Vajta e thashë, as m’i thuaj mejtimet’ e drejta të tuatë. Ja, tha, fjala ishte një, që kudo që të ndodhem të tipos vivllë shqip me shkronjëza që gjendenë. Kjo fjalë utha shumë hera, thash unë, ndë mbledhja shumë vjet, që ndë njady pa vaturë dhiiqiti [administrator, S. Ç.] ndë Roçuk [Rusçuk, S. Ç.] u ndodhe dhe zotëria jote dhe the se shqipja nukë shkruhetë me alfavitët të arapishtesë, dhe bëtë kaqë të meta, po pa eja e folë dhe me punë si munt të tipos shqip kudo që të gjendesh. Zuri të flasë pa pikë logjiko, dhe ika e lashë dhe z’vajta më. […] Ndë ishte për të mirët të Shqipërisë, si hapi fjalënë, Zoti ja mbaroftë! Po më duketë mjeshtëri për të marrë me të mira Anglinë që ishte ftohurë me Turqinë. Njeri i mirë nukë m’uduk, edhe Maliqbe Frashëri në mëngjes kur dotë shkoninë erth në odët t’ime (se unë z’vajta më ndë hotelt të atyre) edhe më tha, tani e njoha që s’qënëka njeri i mirë, ugjënjyeshë. Keq bëra, më duketë, që jam me të, po ubë. [Sokol Çunga: Jani Vreto, korrespondencë me Sotir Kolean, Tiranë, 2024 dok. 57, fq. 144-146.]

    Pas vizitës pothuaj dymujore në Athinë, Ismail Qemali vijoi udhën drejt Londrës. Lidhjet me Athinën politike (dhe ekonomike) i vijoi gjatë gjithë dekadës së parë të shekullit. Në Athinë u rikthye sërish për të diskutuar më gjatë çështjet e bashkëpunimit shqiptaro-grek, çështje për të cilën nënshkroi edhe një protokoll bashkëpunimi më 1907. I mbështetur ekonomikisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë udhëtoi e botoi artikuj, si dhe botoi gazetën “Shpëtimi i Shqipërisë”, e cila qarkulloi vetëm në gjuhën greke. Është interesant fakti se, teksa Ismail Qemali nuk binte dakord me Jani Vreton për punë germash të alfabetit, nuk hasim ndonjë vepër botuar prej tij në gjuhën shqipe, sa qe gjallë. Gjithë çfarë botoi ishte shkruar në gjuhë të tjera, e s’kemi si ta dimë cilin alfabet zgjodhi për shqipen e tij. Pranvera athinase e Ismail Qemalit vijoi deri në vitet 1910-1911.

    Kurse Jani Vretoja mbeti në Athinë, duke u mejtuar si të gjente mënyrë për të sendërtuar shtampat e shtypshkronjës, me të cilat do të shtypte librat shqip. Nuk dimë a do t’ia kishte dalë, sikur të arrinte të jetonte më gjatë. Ndërroi jetë mes mjerimit dhe urisë diku ndërmjet 15 qershorit (letra e tij e fundit drejtuar Sotir Koleas) dhe 10 korrikut 1900 (datë në të cilën u botua lajmi i vdekjes së tij në gazetën “Neologos”). Kujtimi i të dy këtyre burrave ndër shqiptarë ka për të mbetur i pashlyer, duke vlerësuar secilin për aq sa e njohim.

    Tona
    Selita
    Zeqillari
    Max
    Your browser does not support the video tag.
    Share. Facebook WhatsApp Copy Link
    ECO

    Related Posts

    Pringles? Një nga mashtrimet më të mëdha që i është shitur njerëzve si “patatina”.

    May 9, 2026

    Drama e grave të Kosovës, filmi ‘Zgjoi’ shfaqet në Pogradec

    May 8, 2026

    30 vite nga tragjedia e nxënësve në Liqenin e Prespës, familjet e 14 viktimave kërkojnë drejtësi: Fëmijët i dërguan atje për fushatën e Berishës

    May 8, 2026

    Sigurimi i jetës së debitorit është kujdes për familjen, mbrojtje për bankën dhe vijimësi për ekonominë

    May 8, 2026
    TE FUNDIT

    Pranverë shqiptare në Athinën e motit 1900

    May 9, 2026

    Pringles? Një nga mashtrimet më të mëdha që i është shitur njerëzve si “patatina”.

    May 9, 2026

    Drama e grave të Kosovës, filmi ‘Zgjoi’ shfaqet në Pogradec

    May 8, 2026

    30 vite nga tragjedia e nxënësve në Liqenin e Prespës, familjet e 14 viktimave kërkojnë drejtësi: Fëmijët i dërguan atje për fushatën e Berishës

    May 8, 2026
    EKSKLUZIVE

    Kontrolle të shtuara në kufi, zbulohen 3 raste kontrabande dhe kalimi të paligjshëm

    Si Franca pushtoi Pogradecin në 1917/Foto

    Një tjetër thesar ikonografik shfaqet për herë të parë në Muzeun e Artit Mesjetar ne Korçe.

    Advertisement
    eSIM SIGNAL
    Bufi Urte
    Facebook Instagram
    • Vendi
    • Rajoni
    • Evropa
    • Bota
    • Kulture
    • Jetese
    • Sport
    © 2026 Bufi Urte. Designed by Patron Marketing.

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.