Rreth një shekull pas themelimit të tij të parë, qyteti i Korçës bëhet gati të mirëpresë sërish një nga institucionet më emblematike të arsimit shqiptar: Liceun Francez. Por këtë herë, rikthimi nuk është thjesht një homazh nostalgjik i historisë së viteve 1917-1939, por një projekt ambicioz evropian i orientuar drejt shkencës, teknologjisë dhe inovacionit.
Ministria e Arsimit ka përfunduar draftimin e projektligjit për themelimin e këtij institucioni publik të arsimit të mesëm të lartë, një nismë që mori jetë pas vizitës së Presidentit francez Emmanuel Macron në Tiranë në vjeshtën e vitit 2023. Qëllimi është i qartë: krijimi i një gjimnazi të standardeve ndërkombëtare që do të përgatisë të rinjtë shqiptarë për tregun global.
Edukimi dygjuhësh dhe diploma e dyfishtë
Ajo çfarë e bën Liceun e ri Francez të Korçës të veçantë në peizazhin arsimor publik në Shqipëri është modeli i tij pedagogjik. Sipas projektligjit, mësimdhënia do të zhvillohet në tre gjuhë: shqip, frëngjisht dhe anglisht.
Nxënësit që do të arrijnë të kalojnë filtrat e pranimit – ku kërkohet përfundimi i arsimit bazë dhe një nivel i caktuar i gjuhës frënge – do të ndjekin një kurrikul të harmonizuar. Në përfundim të studimeve, maturantët nuk do të marrin vetëm Diplomën e Maturës Shtetërore Shqiptare, por edhe “Baccalauréat” francez, një pasaportë e fuqishme akademike që hap dyert e universiteteve më të mira evropiane pa procedura shtesë ekuivalentimi.

Një institucion elitar
Ndërtimi i një shkolle të këtyre përmasave kërkon një faturë jo të vogël financiare, e cila është parashikuar në relacionin bashkëngjitur projektligjit. Për të garantuar laboratorë shkencorë të fjalës së fundit (STEM) dhe infrastrukturë digjitale moderne, investimi fillestar llogaritet të kapë vlerën e rreth 2.3 milionë eurove.
Kapaciteti i shkollës do të jetë rreptësisht i kufizuar në 360 nxënës, të ndarë në 12 klasa. Për pesë vitet e para të funksionimit, buxheti i shtetit shqiptar do të duhet të përballojë një kosto neto prej rreth 10.7 milionë eurosh. Pala franceze pritet të japë kontributin e saj të drejtpërdrejtë duke mbuluar financiarisht pagën e Drejtorit të Liceut, i cili do të jetë një zyrtar i përzgjedhur nga Ministria Franceze e Arsimit. Krah tij do të jetë një Zëvendësdrejtor shqiptar, i cili do të mbulojë zbatimin e kurrikulës kombëtare.
Qeveria shqiptare ka analizuar disa opsione për këtë projekt, përfshirë integrimin e programit brenda një gjimnazi ekzistues në Korçë, për të ulur kostot. Megjithatë, vendimi final ishte ngritja e një institucioni tërësisht të ri. Argumenti zyrtar është se vetëm një strukturë e pavarur dhe e ndërtuar nga e para mund të garantojë laboratorët e kërkuar dhe autonominë pedagogjike që kërkon një model i tillë.
Liceu Francez i Korçës nuk do të jetë thjesht një shkollë e re; ai synon të shërbejë edhe si një projekt-pilot se si do të jetë e ardhmja e arsimit publik në Shqipëri.


