Në Katedralen “Ringjallja e Krishtit” në Korçë u zhvillua shërbesa e bekimit të flamurit, në kuadër të aktiviteteve për 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë ceremoni morën pjesë Mitropoliti i Korçës, Anastas, përfaqësues të institucioneve vendore, autoritete të pushtetit, përfaqësues të shoqatave dhe besimtarë të shumtë.
Gjatë fjalës së tij, Mitropoliti Anastas e cilësoi këtë ditë jo vetëm si një moment gëzimi dhe krenarie kombëtare, por edhe si një ditë mirënjohjeje dhe përgjegjësie. Ai kujtoi sakrificën e brezave që luftuan dhe dhanë jetën për lirinë e atdheut, duke theksuar se liria nuk është thjesht një fjalë, por një cilësi që buron nga Perëndia.
Duke iu referuar besimit të krishterë, Anastas u shpreh se Perëndia e krijoi njeriun sipas ikonës së Tij, të shenjtë, të pafajshëm dhe të lirë. Sipas tij, edhe liria e fituar nga populli shqiptar është rezultat i përpjekjeve të mëdha dhe sakrificave të atyre që kontribuuan për vendin, gjuhën, historinë dhe përparimin e tij.
Mitropoliti u ndal edhe te kuptimi i krenarisë, duke theksuar se ajo nuk duhet të lidhet me interesin personal, por me sakrificën për të tjerët. Ai e krahasoi sakrificën e atyre që ranë për atdheun me kryqin, si simbol të përkushtimit dhe dhënies së gjithçkaje pa kërkuar asgjë në këmbim.
“Edhe ata që luftuan dhe ranë për atdheun tonë, për vendin tonë, mbajtën kryqin e tyre, sepse kryqi është një formë sakrifice. Na lejohet të jemi krenarë edhe sot, duke parë kryqin e Krishtit, por edhe kryqin e atyre që dhanë jetën, u përpoqën dhe dhanë gjithçka që kishin, pa kërkuar asgjë në këmbim, për lirinë, për gjuhën, për historinë dhe për përparimin e vendit dhe atdheut tonë”, u shpreh Anastas.
Një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij Mitropoliti ia kushtoi përgjegjësisë që brezat e sotëm kanë për të ardhmen e Shqipërisë. Sipas tij, liria e fituar duhet të shoqërohet me përpjekje të vazhdueshme për ta ruajtur dhe për ta çuar vendin përpara, duke u lënë brezave të ardhshëm një Shqipëri më të mirë, më të bukur dhe më të begatë.
Ai theksoi se kjo mund të arrihet vetëm përmes sakrificës dhe vendosjes së interesit të përbashkët mbi atë personal.
“Jemi të bindur se, me një ndjenjë të lartë përgjegjësie, duhet të sakrifikojmë gjithçka personale për të mirën e përbashkët, në mënyrë që t’u japim brezave që vijnë, familjeve dhe të rinjve tanë, një atdhe të lirë, të begatë, të përparuar dhe që të jetë i denjë për t’u renditur përkrah vendeve të qytetëruara”, deklaroi Mitropoliti i Korçës.
Mesazhi më i drejtpërdrejtë i tij ishte për të rinjtë dhe fëmijët shqiptarë, të cilëve u bëri thirrje të mos e humbasin shpresën dhe të mos e shohin largimin nga vendi si të vetmen mundësi për një jetë më të mirë. Anastas u shpreh se Shqipëria duhet t’u ofrojë të rinjve arsim dinjitoz, mundësi dhe siguri për të ndërtuar të ardhmen e tyre.
“Uroj veçanërisht të rinjtë dhe fëmijët e vendit tonë, që të gjejnë forcën dhe shpresën për të qëndruar në vendin tonë dhe që këtu të gjejnë një jetë të mirë, një arsim dinjitoz dhe një të ardhme të sigurt”, ishte thirrja e tij.
Një apel ai përcolli edhe për shqiptarët që jetojnë jashtë atdheut. Mitropoliti i ftoi bashkatdhetarët të mos harrojnë vendin e të parëve dhe të ruajnë lidhjen me Shqipërinë, duke u mësuar fëmijëve gjuhën shqipe dhe duke përcjellë te brezat e rinj traditat, historinë dhe identitetin kombëtar.
Ai theksoi se kalimi i viteve dhe largësia mund të dobësojnë lidhjet me vendin e origjinës, ndaj u bëri thirrje emigrantëve të ruajnë rrënjët e tyre dhe, kur të kenë mundësi, të rikthehen në atdhe.
Në përfundim të fjalës, Mitropoliti Anastas uroi të gjithë shqiptarët për festat, duke shprehur dëshirën që vendi të vijojë të gëzojë lirinë dhe pavarësinë, ndërsa brezat e sotëm të tregojnë përgjegjësi për të ardhmen e tij.
Shërbesa e bekimit të flamurit në Katedralen “Ringjallja e Krishtit” në Korçë u zhvillua në një atmosferë festive dhe solemniteti, duke sjellë në vëmendje jo vetëm historinë dhe sakrificat për pavarësinë, por edhe sfidat që Shqipëria ka përpara, veçanërisht largimin e të rinjve dhe nevojën për t’u krijuar atyre mundësi për të ndërtuar jetën në vendin e tyre.


