Mamografia e lëvizshme ka tërhequr interes të lartë nga gratë dhe vajzat në Korçë, ku çdo ditë kryhen mbi 15 ekzaminime. Kërkesat për kontrolle parandaluese të gjirit vijojnë të jenë të shumta, ndërsa njësia e lëvizshme do të qëndrojë në qytet deri të premten.
Mjeku i mamografisë së lëvizshme, Alvis Mushtari, bën të ditur se pjesëmarrja ka qenë e kënaqshme. Pas kryerjes së ekzaminimit, gratë marrin imazhet në CD, ndërsa përgjigjet mund t’i tërheqin pranë njësisë së kujdesit shëndetësor në Korçë.
“Pjesëmarrja ka qenë e kënaqshme, kemi bërë numrin e vizitave mbi 15 në ditë. Ka kërkesa të shumta nga gra e vajza të Korçës. Kemi qenë në suport, do jemi deri të premten. Gratë që bëjnë vizitën, imazhet i marrin në CD dhe përgjigjen e marrin në njësinë e kujdesit shëndetësor në Korçë”, shprehet Mushtari.
Edhe gratë që kanë kryer kontrollin vlerësojnë rëndësinë e ekzaminimeve periodike, duke i konsideruar ato një mundësi për të treguar kujdes ndaj shëndetit dhe për të identifikuar në kohë probleme të mundshme.
“Një herë në vit. Thjesht kontroll. Shyqyr që janë këto që bëjmë vizitën. Gjë e mirë për gratë. Duhet të vijnë të gjitha ta bëjnë”, shprehet një prej grave që ka kryer ekzaminimin.
Ndërkohë, mamografia në Poliklinikën e Korçës vijon të jetë jashtë funksionit për shkak të një defekti teknik. Në këto kushte, njësia e lëvizshme ofron një mundësi alternative për gratë që duan të kryejnë ekzaminimin, deri në rikthimin në punë të pajisjes së poliklinikës.


