Erjon Vishkulli ka rrëfyer për herë të parë momentin kur u plagos në syrin e majtë nga një plumb gome gjatë protestës. Ai tregon se ndodhej rreth 30 metra larg efektivëve të Policisë, kur ndjeu një goditje të fortë dhe pak çaste më pas u rrëzua në tokë.
“Shkova të takoja shokët dhe do të ikja. Kisha hequr maskën e oksigjenit dhe në atë moment takova një shok gazetar. I kisha diku 30 metra larg policët, pa asnjë reagim, pa asgjë. Vetëm kur më vjen një goditje, eca rreth dy metra dhe rashë në tokë”, rrëfen Vishkulli.
Pas plagosjes, ai tregon se ishte vetëm pjesërisht i vetëdijshëm, ndërsa një shok e ndihmoi duke e transportuar me makinë. Plumbi i gomës ndodhet ende në syrin e tij të majtë, ndërsa dhimbjet dhe pasiguria për rikuperimin e shikimit e bëjnë edhe më të vështirë situatën.
“Vazhdoj ta kem ende plumbin e gomës në sy. Nuk e di tani të them se sa i lartë është rreziku, por e lehtë nuk është, sepse kam shumë dhimbje”, shprehet ai.
Ndërkohë, është siguruar transporti i Erjon Vishkullit drejt një spitali në Romë, ku pritet të marrë trajtim më të specializuar mjekësor. Atje, mjekët do të vlerësojnë gjendjen e syrit dhe mundësitë për ndërhyrje, me shpresën për të ruajtur shikimin.
Në fund të dëshmisë së tij, mes dhimbjeve dhe pasigurisë për gjendjen shëndetësore, Vishkulli përcolli një mesazh të shkurtër: “Vetëm fitore”.


