Në Partinë Socialiste të Korçës prej ditësh po qarkullon fjalia: “Raqi nuk do kandidojë më”, duke hapur “oreksin” e të tjerëve, disa me më shumë të drejtë se të tjerët, për të synuar karrigen e drejtimit të bashkisë më të madhe në juglindje të vendit.
Në fakt, Sotiraq Filo duket qartë se kërkon të rikandidojë, por ndoshta për shkak të sondazheve të brendshme të kryera nga struktura qendrore e PS-së, është kuptuar një rënie e ndjeshme e besueshmërisë ndaj tij. Kjo ka lënë të hapur diskutimin për emrin e ardhshëm që mund të drejtojë Korçën.
Por kush janë kandidatët e mundshëm për ta zëvendësuar?
Dy janë emrat që konsiderohen “jashtë” strukturave klasike të PS-së, por që synojnë të futen në garë përmes kësaj logoje.
Ardit Konomi e ka shprehur qartë ambicien për të rikthyer vëmendjen drejt vetes dhe për të qenë kandidat potencial për kryebashkiak. Nuk përjashtohet as mundësia që të dalë i pavarur. Shanset mund të duken të pakta, por Konomi ka treguar se shpesh ndjek rrugën e vet. Një gjë është e qartë: ai nuk e mohon dëshirën për të drejtuar Bashkinë e Korçës.
Nertil Jole u largua nga posti i prefektit, por dëshira për të kontribuar në qytet mbetet. Kjo vihet re edhe në aktivitetin e tij publik, ku shpesh jep ide për zhvillimin e sektorëve të ndryshëm. Megjithatë, rruga e tij duket e vështirë, sidomos pa mbështetjen e Niko Peleshit. Edhe pse ka lidhje të forta në Tiranë, mbetet e paqartë nëse do të mund të anashkalohet roli i drejtuesit politik që ka dominuar PS-në në qark që prej vitit 2013.
Ilir Pendavinji, aktualisht deputet, shihet si një figurë besnike ndaj Peleshit. Rezultati i tij si më i votuari në listën e hapur nuk konsiderohet rastësi, por më tepër një sinjal politik. Nuk do të ishte çudi nëse ai do të ishte një emër serioz në garë, duke pasur parasysh ndikimin që ka në institucionet e qarkut.
Petrika Tollkuci nuk e artikulon hapur ambicien, por lëvizjet e tij flasin vetë. Nga drejtimi i shëndetësisë në kryetar qarku dhe me një rol të rëndësishëm në parti, ai përflitet si një alternativë reale për të zëvendësuar Filon. Tollkuci po sulmohet nga opozita, çka është një sinjal i qartë.
Kletjon Kita është një tjetër emër që nuk flet shumë, por për të flasin të tjerët. I njohur si njeriu që “zgjidh hallet” e PS-së në Korçë, ai gëzon mbështetje të gjerë si në qytet, ashtu edhe në zonat rurale. Ka ndërtuar një profil korrekt me votuesit, çka e bën të pëlqyer në publik. Por në politikë, shpesh nëse nuk kërkon, nuk merr.
Gjergji Koki nuk e ka kërkuar publikisht këtë post, por lidhjet e tij të forta, veçanërisht me Mirela Kumbaron, mund të luajnë rol. Me eksperiencë në drejtimin e institucioneve si trashëgimia kulturore dhe AKZM në juglindje, ai konsiderohet një administrator i provuar.
Anxhela Taho mbetet një nga figurat më të heshtura, por njëkohësisht më punëtore të PS-së në Korçë. Nga drejtimi i arsimit profesional në nivele të ndryshme, ajo shihet si një emër i nënvlerësuar, por me potencial real dhe mbështetje të konsiderueshme.
Eni Zake dhe Vinjola Rrota nuk arritën të sigurojnë një mandat parlamentar dhe pritet të kërkojnë rikthimin në lojën politike. Rrota duket më e favorizuar, për shkak të rolit në sektorin e arsimit, ndërsa Zake e ka më të vështirë. Në këtë lojë, mbështetja politike mbetet vendimtare, por këmbëngulja e saj nuk duhet nënvlerësuar.
Xheni Eski është mikesha e Niko Peleshit, e besuara e tij dhe në çdo zgjedhje përflitet si një emër që mund të drejtojë bashkinë e Korçës. Sot drejton një fondacion humanitar por çudi nuk do ishte për të qenë kandidate.
Zamira Kita është bast artistik. Teksa po i jep fund drejtimit të teatrit, Zamira Kita do merrte menjëherë pëlqimin e kryeministrit Rama në qoftë se emri i saj do ishte ne tavolinë. Zamira Kita është aktore e madhe, njerëzit e duan, në PS ka kontribuar prej vitesh. E qe artistët drejtojnë bashkitë e juglindjes, kjo nuk do ishte hera e parë
Megjithatë, pavarësisht gjithë këtyre lëvizjeve, “koka” e Sotiraq Filos mbetet e paprekur deri në vitin 2027. Ka pakënaqësi në zonat rurale dhe një ndjesi zymtësie në qytet, ku rënia e turizmit ndihet, por Filo ka treguar se di të qëndrojë larg problemeve me drejtësinë.
Deri në verën e vitit 2027, të gjithë kanë kohë të provojnë veten. Ata që nuk do ta bëjnë, do të vijojnë të kontribuojnë brenda PS-së me shpresën se një ditë radha do t’u vijë. Dhe nëse nuk vjen shija e pushtetit nga brenda mbetet gjithmonë më e ëmbël sesa jashtë tij.


