Vetëm pak minuta larg qytetit të Korçës, fshati Drenovë po përballet prej vitesh me një fenomen shqetësues që banorët e quajnë tashmë një “epidemi vjedhjesh”. Sipas tyre, pothuajse çdo shtëpi në fshat është vjedhur të paktën një herë, ndërsa autorët rrallëherë janë identifikuar apo ndëshkuar.
Emigrimi masiv dhe numri i madh i banesave të mbyllura kanë krijuar terren të favorshëm për hajdutët, të cilët, sipas banorëve, kanë hyrë në shtëpi duke marrë gjithçka që kanë gjetur, nga veglat e punës deri te sendet e përdorimit të përditshëm.
Banorët tregojnë se në shumë raste kanë njoftuar policinë menjëherë pas vjedhjeve, por hetimet nuk kanë sjellë rezultate konkrete. Ata shprehen se nuk kanë dëgjuar pothuajse asnjëherë për arrestime të autorëve të këtyre ngjarjeve.
“Pothuajse 180 shtëpi janë vjedhur. Morën gjithçka, nga enët e kuzhinës deri te sendet e tjera. Policia erdhi, mori gjurmët, por nuk u zbulua asgjë”, thotë një banor.
Të tjerë tregojnë se banesat e tyre janë vjedhur disa herë, ndërsa dëmet kanë qenë të konsiderueshme. Sipas tyre, fenomeni është përhapur në të gjithë fshatin dhe ka prekur familje të shumta.
Nga ana e saj, Policia e Korçës bën me dije se për rastet e vjedhjeve në Drenovë janë proceduar dy persona. Gjithashtu, policia u ka bërë thirrje banorëve që të shtojnë masat e sigurisë, duke instaluar kamera dhe sisteme monitorimi në banesat e tyre.
Megjithatë, banorët kërkojnë më shumë prani të policisë dhe rezultate konkrete në zbardhjen e rasteve, duke theksuar se ndihen të pasigurt dhe të pambrojtur përballë një fenomeni që, sipas tyre, ka prekur pothuajse çdo familje në fshat.


