Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, ka mbajtur një fjalë në Kuvend gjatë diskutimit të projektligjit “Për ngritjen dhe funksionimin e institucionit publik të arsimit të mesëm të lartë Liceu Francez i Korçës”, ku ka vënë në dukje rëndësinë historike, arsimore dhe kulturore të rikthimit të këtij institucioni prestigjioz.
Në fjalën e tij, Peleshi e cilësoi rihapjen e Liceut Francez si një ngjarje kombëtare me rëndësi strategjike, që ndërthur trashëgiminë historike të Korçës me vizionin bashkëkohor për modernizimin e arsimit dhe përgatitjen e brezave të rinj për sfidat e së ardhmes.
Duke rikujtuar historinë e institucionit, të hapur më 25 tetor 1917, ai theksoi rolin e Liceut në formimin e elitës intelektuale shqiptare dhe në zhvillimin e shtetit shqiptar.
Sipas Peleshit, Liceu i rikthyer nuk do të jetë thjesht një monument i së kaluarës, por një model i ri arsimor, i orientuar drejt shkencës, teknologjisë dhe inxhinierisë. Mësimi do të zhvillohet në tri gjuhë: shqip, frëngjisht dhe anglisht, ndërsa nxënësit do të kenë mundësinë të pajisen si me Maturën Shtetërore shqiptare, ashtu edhe me diplomën franceze Baccalauréat.
Kryetari i Kuvendit vuri në dukje gjithashtu potencialin e Korçës për të pritur këtë institucion, duke përmendur traditën e saj arsimore, zhvillimin e Universitetit “Fan S. Noli”, bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe projektet në fushën e inovacionit dhe teknologjisë.
Ai theksoi se Liceu Francez do të jetë një qendër ekselence jo vetëm për rajonin juglindor, por për të rinjtë nga e gjithë Shqipëria dhe diaspora, duke kontribuar në zhvillimin e balancuar territorial dhe në krijimin e mundësive të reja arsimore.
Projekti, i mbështetur në marrëveshjen ndërqeveritare Shqipëri–Francë të nënshkruar në vitin 2024, u cilësua nga Peleshi edhe si një simbol i marrëdhënieve dhe miqësisë franko-shqiptare.
Në përfundim të fjalës së tij, Niko Peleshi kërkoi mbështetjen e plotë të Kuvendit për projektligjin, duke nënvizuar se Liceu Francez i vitit 1917 kontribuoi në ndërtimin e Shqipërisë moderne të shekullit XX, ndërsa rikthimi i tij synon të kontribuojë në ndërtimin e Shqipërisë europiane të shekullit XXI.


