Vllaznia dhe Skënderbeu barazuan 2-2 mes tyre, në ndeshjen e parë të sezonit të ri në Superiore. Një ndeshje e dyluftuar në Shkodër, me korçarët që vinin me probleme të mëdha.
Trajneri i juglindorëve, Julian Ahmataj, u detyrua të bëjë një formacion të improvizuar, për shkak se nuk aktivizonte dot afrimet e verës, prej bllokimit të merkatos nga FIFA.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, me Skënderbeun që kishte disa raste të mira për shënim me Saleh Nasr.
Fraksioni i dytë nisi me dy gola të shpejtë të Vllaznisë. Fillimisht Bekim Balaj devijoi një top në zonë për ta dërguar në rrjetë, ndërsa 4 minuta më vonë, ktheu në gol një penallti të fituar nga ai vetë.
Edhe pse në disavantazh të dy golave, korçarët nuk u dorëzuan. Në minutën e 57-të, Janaqi ngushtoi diferencat me një supergol, ndërsa Bismark barazoi shifrat në minutën e 74-t.
Rezultati nuk ndryshoi deri në fund, me dy ekipet që u detyruan të ndajnë nga një pikë, në ndeshjen e parë të kampionatit të 88-të në Superiore.


