Vendosmëria e Pogradecit po reflektohet qartë me rezultatet. Pas fitores me Korabin në transfertë, 0-2, liqenorët nuk kanë ndërmend të bëjnë hapa pas dhe as të ndalin ritmin dhe kjo po konfirmohet nga ndeshja në ndeshje.
Në këto momente, pas javës së 5-të të Kategorisë së Parë, ekipi i Emiljano Çelës kryeson me 11 pikë tabelën e klasifikimit, një më shumë se Besa si ndjekëse më e afërt.
Vetë Pogradeci ka ardhur me një postim, duke vendosur në fokus pikërisht renditjen që nënkupton se krahas formës së mirë, shihet edhe si mesazh që këtë sezon, pogradecarët nuk njohin rivalë dhe janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për t’u ngjitur në Superiore.
Në duelin e radhës, Pogradeci do të presë në shtëpi Sopotin, ndeshje e cila do të luhet më 17 tetor, ora 13:30 në stadiumin “Gjorgji Kyçyku”.


