Maliqi mund të kthehet në fshat të braktisur!
Ndarja administrativo-territoriale e vitit 2014 rezultoi të ishte dështim. Me 88 vota pro, parlamenti shqiptar vendosi që nga 372 njësi vendore të shkonte në 61, me qëllimin për të ulur numrin e administratës, shpenzimeve dhe për të dhënë shërbimin më efikas e të shpejtë.
Për shkak të draftit të ri që me siguri do të kalojë
ku 15 bashki të vogla do të shkrihen, kam pyetur disa ish kryetarë komunash dhe disa kryetarë aktualë të njësive administrative në Korçë. Doja të kuptoja nëpërmjet tyre se çfarë pritet të ndodhë me këto bashki. Të gjithë më thanë pothuajse të njëjtën fjali: “Do kthehen në fshatra të braktisur.”
Në fakt, sipas tyre, nuk është e vërtetë që numri i punonjësve të administratës shtetërore është ulur. Ai është rritur. Edhe shpenzimet e pakushtëzuara janë rritur. 400 milionë euro jepeshin për njësitë vendore në vitin 2012, mbi 700 milionë euro jepen sot.
E pakuptueshme, për shembull, është që Bashkia e Korçës ka eskavatoristë në punë, por tenderon punë për pastrimin e kanaleve dhe merr privatin t’i pastrojë. Pra shteti, në një farë forme, konkurron privatin dhe më pas në fund dorëzohet tek privati, gjithsesi rrogën ia jep një eskavatoristi. Argument shumë minimal ky, por që tregon një problem më të madh të mënyrës sesi organizohet shërbimi publik.
Për shembull, Komuna Vithkuq në vitin 2012 kishte në punë rreth 48 punonjës. Sot ka vetëm 8. Në vitin 2012, në fshatin Vithkuq kishte rreth 550 banorë. Sot, në vitin 2026, nuk janë më shumë se 70-80 banorë në fshat.
Në fakt, faktet janë kokëforta.
Qeveria sot investon shumë më tepër për qytetin sesa për fshatin. Mbi 60 milionë euro janë investuar, në letra, në 10 vitet e fundit për qytetin e Korçës, ndërsa për fshatrat nuk kanë shkuar më tepër se 2 milionë euro. Diferenca është 60-2.
Kthehemi prapë në Vithkuq. Blegtoria ka rënë në shifra alarmante. Në qoftë se më parë ka qenë një nga zonat me më tepër krerë gjedhësh në juglindje, sot disa lopë janë vetëm në fshatin Shtyllë, vetëm nga një fermer. Pra, ne kemi lekë për t’i dhënë qytetit por nuk kemi lekë për fermerët t’i sigurojmë për prodhimet e tyre, ashtu siç bën Greqia.
Ose, në qoftë se do të marrim shifrat e INSTAT, blegtoria ka rënë këto 10 vite në juglindje në shifra shumë të ulëta. Mbi 300 mijë më pak gjedhë e të imëta.
A e dini se ne Greqi ka 332 njësi vendore (bashki) me kompetenca të plota në rrugët lokale dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës, Ujësjellësit dhe kanalizimet, në varësi të organizimit lokal, Mbetjet dhe pastrimin, Urbanistikën dhe planifikimin lokal
, hapësirat publike, ndriçimin dhe funksionimin e qyteteve/fshatrave, shërbimet sociale, përfshirë mbështetjen për fëmijët, të moshuarit dhe grupet vulnerabël, Arsimin dhe strukturat e edukimit, në kompetencat që u janë deleguar, Kulturën, sportin dhe aktivitetet lokale, Mbrojtjen civile, Zhvillimin rural, blegtorinë dhe peshkimin, Zhvillimin ekonomik dhe punësimin lokal? Pra, Greqia ka 10 milion banore dhe ka 332 bashki të tilla. Shqipëria ka 2 milion banorë dhe do ketë rreth 47 bashki.
Ose një fakt tjetër. Një nga kërkesat e BE është që një komunitet prej 5000 banorësh të ketë të drejtë të vendosë kryetarin e vet të bashkisë (ta zgjedhë, jo ta emërojë)?
Tani, të vijmë në Maliq.
Maliqi është një nga shembujt më domethënës të asaj që mund të ndodhë me bashkitë e vogla nëse ato humbasin funksionin e tyre administrativ. Mos harrojmë që janë 31 mijë banorë në këtë bashki. Kryesisht, të vendosur në qytet dhe fshatrat përreth qytetit. Gjithë fshatrat e tjerë janë me nga 7-8 shtëpi. Marr shembull fshatin tim. Në Vlocisht, në vitin 2012 kishte rreth 1650 banorë. Sot nuk ka më shumë se 800.
Maliqi është qendër shërbimesh për dhjetëra fshatra përreth. Këtu vijnë banorët për dokumente, për shërbime publike, për shkollën, për shëndetësinë, për bizneset, për tregtinë dhe për një sërë shërbimesh që sot i kanë në distancë relativisht të afërt.
Nëse Bashkia e Maliqit shkrihet dhe funksionet zhvendosen ne qytetin e Korçës, pyetja është e thjeshtë, çfarë do të ndodhë me Maliqin?
A do të mbetet një qendër administrative me më pak punonjës e shërbime, apo gradualisht do të humbasë edhe funksionin ekonomik që ka sot?
Sepse një bashki nuk është vetëm numri i zyrave dhe i punonjësve. Pas çdo zyre janë njerëz që konsumojnë, blejnë, marrin me qira, përdorin shërbime, hapin biznese dhe mbajnë gjallë ekonominë e qytetit.
Nëse këto funksione largohen, largohen edhe njerëzit. Dhe kur largohen njerëzit, fillon një tjetër problem, mbyllen bizneset, boshatisen banesat, pakësohen nxënësit në shkolla dhe qyteti fillon të humbasë gradualisht rolin e tij.
Kjo është arsyeja pse debati për ndarjen territoriale nuk duhet të bëhet vetëm me numra. Nuk është vetëm çështja se sa bashki do të ketë Shqipëria dhe sa punonjës do të ketë administrata.
Pyetja duhet të jetë se çfarë do të ndodhë me qytetet dhe fshatrat që do të humbasin statusin e tyre? Përse asnjë nga deputetët e qarkut të Korçës nuk ka reaguar për këtë propozim? Sidomos ata të PS? Përse nuk ka një sqarim të qartë ndaj votuesve? Sepse, më shumë sesa bindje ndaj linjës partiake, kjo është një çështje nderi ndaj zonës së Maliqit. Përse nuk sqarohet a do qëndrojnë këta njerëz në punë? Përse nuk sqarohet se cilat shërbime fikse do të qëndrojnë në qytetet e vogla? A do ikë komisariati i Maliqit? A do ulet numri i punonjësve në ambulancën e Maliqit? A do varet pastrimi i qytetit të Maliqit dhe fshatrave të tij nga Korça? A do duhet që një leje ndërtimi në fshatin Mesmal të ndodhë nëpërmjet një aplikimi në njësinë vendore Maliq apo Korçë? A do rriten apo do ulen investimet për Maliqin?
Sepse reforma e vitit 2014 premtoi më shumë eficiencë dhe shërbime më të mira. Por sot, 12 vite më vonë, kemi fshatra që po boshatisen, blegtori që po zhduket, bujqësi që vetëm dëmtohet dhe qendra të vogla që po humbasin banorët.
Nëse tani u hiqet edhe funksioni administrativ qyteteve të vogla, rreziku është që të mos kemi më vetëm fshatra të braktisur.
Mund të kemi edhe qytete që, pak nga pak, kthehen në fshatra.


