Nga pekmezi e mjalti, te uthulla, petët dhe frutat e përpunuara sipas recetave të trashëguara ndër breza, gratë e fshatit po përpiqen t’i kthejnë prodhimet tradicionale në një mundësi për të siguruar të ardhura.
Në një panair të vogël, takojmë Eltonën dhe Mukadesin, dy gra që merren me prodhimin artizanal dhe bujqësor, duke përdorur lëndë të para të prodhuara në zonë.
Eltona Hamolli prej rreth një viti i tregton produktet e saj, kryesisht në rrugë dhe në panaire. Ajo thotë se prodhimi nuk mungon, por sfida kryesore mbetet gjetja e tregut.
Sipas saj, nevojitet më shumë mbështetje për promovimin e produkteve, pjesëmarrjen në panaire dhe veçanërisht për ambalazhimin, pasi kjo kërkohet edhe nga turistët.
Ndërsa Mukades Gjona e ka kthyer aktivitetin në një biznes familjar. Ajo prodhon petë, produkte me pekmez, fruta të përpunuara dhe ushqime të tjera tradicionale të zonës, duke ruajtur recetat e nënave dhe gjysheve.
Për të, puna është një mënyrë për të siguruar të ardhura dhe për të ruajtur traditën, por edhe në këtë rast tregu mbetet një nga sfidat kryesore.
Sipas saj, kërkesa për produkte tradicionale është në rritje, veçanërisht në Tiranë dhe Durrës, ndërsa interes ka edhe nga restorantet.
Nga oborret dhe shtëpitë e fshatit, te panairet dhe tregjet e qyteteve, këto gra po përpiqen ta mbajnë gjallë traditën, duke e kthyer atë njëkohësisht në një burim të ardhurash dhe në një mundësi për më shumë pavarësi ekonomike.


