Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka vijuar kontrollet dhe goditjet ndaj paligjshmërive në qark, duke arrestuar dhe proceduar disa shtetas për vepra të ndryshme penale.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë dy shtetas, një 41-vjeçar në lagjen nr. 4 të Korçës dhe një 20-vjeçar nga fshati Biranj, pasi u kapën duke drejtuar automjetet në gjendje të dehur.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Korçës arrestuan një 43-vjeçar, i cili u konstatua jashtë banesës në kundërshtim me masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” të vendosur më parë nga Gjykata për veprën penale “Vjedhja”.
Po ashtu, nisi procedimi penal për katër shtetas nga fshati Mborje, të cilët u kapën në Malin e Moravës duke prerë dhe transportuar lëndë drusore pa leje, si dhe për një shtetas tjetër në Korçë, i cili u kap me një mjet prerës (thikë) në brez.
Në Pogradec, Policia referoi materialet për një 58-vjeçar nga fshati Guras, i dyshuar se ka goditur me grushte një 31-vjeçar gjatë një konflikti për motive të dobëta.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme, ndërsa kontrollet për evidentimin dhe ndëshkimin e shkeljeve vijojnë në të gjithë qarkun.


